BALLKAN, 14 July 2026, 19:37

Marta Kos: E tronditur nga deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, në Evropë nuk ka vend për këtë retorikë

marta kos

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i është përgjigjur deklaratës skandaloze dhe nxitëse të ministres së qeverisë serbe për spastrimin etnik në Kosovë, sipas koha.net.

Ajo tha se është e tronditur që ka deklarata të tilla dhe shprehu shpresën se ky nuk është një qëndrim i qeverisë serbe, por një deklaratë individuale.

Kos e tha këtë në një konferencë për shtyp në Bruksel pas mbylljes së dy kapitujve të negociatave të pranimit me Malin e Zi.

Ajo u pyet nëse Komisioni Evropian ende qëndron pas vlerësimit të tij pozitiv për Serbinë në lidhje me angazhimin e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

“Mund të ketë vetëm tolerancë zero për deklarata të tilla siç kemi dëgjuar. Dhe nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon, mbështet ose lavdëron pastrimin etnik. Personalisht jam e tronditur që kjo duhet të thuhet në këtë situatë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzor, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbi të cilat është ndërtuar BE-ja dhe pa të cilat procesi i pranimit nuk mund të ndodhë”, u përgjigj Kos.

Kos është shprehur se supozon se ky është vetëm qëndrimi personal i një ministri dhe jo ai i qeverisë serbe.

“Këto janë gjithashtu në kundërshtim me detyrimet e Serbisë nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Mund të supozoj vetëm se këto janë qëndrimet e një ministri dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e qeverisë serbe. Ne presim që udhëheqësit politikë të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të kontribuojnë në ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit në rajon”, tha Kos.