TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e PD kundërshton rritjen e TVSH-së dhe uljen e pragut në 5 milionë lekë: bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë përballen me kosto shtesë që, sipas saj, do të prekin edhe konsumatorët.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, paralajmëroi se rritja e TVSH-së në 21% dhe ulja e pragut të përfshirjes në këtë skemë në 5 milionë lekë xhiro vjetore do të rëndojnë bizneset e vogla dhe buxhetet familjare. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ajo argumentoi se sipërmarrjet do të përballen me zgjedhjen mes uljes së fitimeve dhe rritjes së çmimeve.
Sipas Tabakut, kjo barrë prek drejtpërdrejt shtresën e mesme dhe profesionistët e lirë, ndërsa pasojat shtrihen përtej bizneseve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Kalimi i kostove te konsumatori, vlerësoi ajo, do të rëndojë shpenzimet e përditshme të familjeve dhe do të godasë konsumin.
“Vendosja e TVSH-së me 21% për të gjitha këto biznese do të thotë që këto ose do të heqin dorë nga fitimet, ose do të rrisin çmimet”, u shpreh deputetja.
Kritika e saj u përqendrua edhe te mënyra se si qeveria synon të mbledhë më shumë të ardhura. Tabaku kërkoi që administrata të përqendrohet te taksat e papaguara dhe informaliteti, duke kundërshtuar shtimin e detyrimeve për bizneset që tashmë deklarojnë dhe paguajnë.
“Qeveria dhe shteti merret me ata që paguajnë, me ata që janë të ndershëm, me ata që janë korrektë, me ata që janë formalë”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar një norme mbledhjeje të TVSH-së prej 54%, Tabaku argumentoi se përparësi duhet të jetë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, përpara rëndimit të mëtejshëm të taksapaguesve të rregullt.
“Ky është shteti shqiptar: është i fortë me të dobëtin dhe i dobët me të fortin”, tha ajo, duke e cilësuar politikën fiskale të qeverisë si goditje ndaj shtresës së mesme dhe konsumit.
Deklarata
TVSH-ja për biznesin e vogël, nga 5 milionë lekë e sipër, është një goditje e rëndë për shtresën e mesme, për biznesin e vogël dhe për profesionistët e lirë. Vendosja e TVSH-së me 21% për të gjitha këto biznese do të thotë që ato ose do të heqin dorë nga fitimet, ose do të rrisin çmimet.
Po, patjetër, këtë do ta paguajnë konsumatorët, sepse këto biznese, sigurisht, do t’ua transferojnë konsumatorëve barrën e TVSH-së prej 21%.
Qeveria dhe shteti merren me ata që paguajnë, me ata që janë të ndershëm, me ata që janë korrektë, me ata që janë formalë. Norma e mbledhjes së TVSH-së është 54%. Në vend që të merren me atë 46% që nuk i paguan taksat dhe nuk e paguan TVSH-në, merren me këta që paguajnë dhe i ngarkojnë gjithmonë e më shumë.
Ky është shteti shqiptar: është i fortë me të dobëtin dhe i dobët me të fortin. Taksat e tregojnë më së miri këtë.
Është qeveria e pakicës, qeveria që dëmton shtresën e mesme, godet shtresën e mesme dhe godet konsumin.