BALLKAN, 15 July 2026, 15:45

Kriza në LDK/ Delegatët nisin procedurën për shkarkimin e Lumir Abdixhikut, dorëzohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm

Pakënaqësitë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj drejtimit aktual të partisë kanë marrë një zhvillim të ri. Një grup delegatësh të pakënaqur kanë dorëzuar pranë Sekretarit të Përgjithshëm të LDK-së nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, ku pritet të shqyrtohet edhe shkarkimi i kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Sipas mediave kosovare, nënshkrimet e mbledhura plotësojnë kriteret statutore për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së. Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Armend Zemaj, konfirmoi dorëzimin e kërkesës dhe tha se numri i firmave është në përputhje me statutin e LDK-së.

“Unë e kam deklaruar numrin e nënshkrimeve dhe është sipas normave statutare të LDK-së”, u shpreh Zemaj. Kuvendi i LDK-së përbëhet nga 355 delegatë dhe, sipas rregullave të partisë, mbledhja e tij mund të kërkohet me 118 nënshkrime. Pas depozitimit të kërkesës, Kryesia e LDK-së ka detyrimin që të thërrasë Kuvendin brenda 60 ditëve. Lëvizja vjen pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë, pas të cilave disa drejtues të lartë të LDK-së dhe degë të partisë kanë shprehur pakënaqësi, duke kërkuar përgjegjësi politike nga Abdixhiku dhe hapjen e një procesi të ri zgjedhor brenda partisë.

Megjithatë, kryetari i LDK-së ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Abdixhiku ka thënë se zgjedhjet e rregullta për kryetarin e partisë janë të parashikuara për vitin e ardhshëm dhe se LDK duhet t’u përmbahet rregullave të saj statutore.

“Ne kemi dalë prej një Kuvendi më 31 janar dhe një parti serioze matet me sa i përmbahet zotimeve të veta”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se, nëse dorëzohen nënshkrimet sipas statutit, Kuvendi do të thirret. “Çfarëdo nënshkrimi që deponohet, unë menjëherë, me Statut, e thërras Kuvendin. Ne s’jemi as të përhershëm e as qëndrojmë me forcë”, është shprehur kryetari i LDK-së.