BALLKAN, 13 Korrik 2026, 11:04

Operacioni/ Po hynte në Kosovë nga RMV, arrestohet një shtetas i huaj: Dyshohet se ka kërcënuar kryeministrin Kurti

Operacioni/ Po hynte në Kosovë nga RMV, arrestohet një shtetas i

Një 72-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare Stançiq, pasi kërkohej me urdhër-arrest të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, nën dyshimin për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

Mediat në Kosovë bëjnë të ditur se bëhet fjalë për K. Xh. rreth 72 vjeç, i cili dyshohet se, më 30 tetor 2025, përmes rrjetit social Facebook, kishte publikuar përmbajtje kërcënuese ndaj Kryeministrit Albin Kurti.

I dyshuari u arrestua më 12 korrik 2026 në pikën kufitare Stançiq, gjatë kontrolleve kufitare, pasi rezultoi se ndaj tij ishte në fuqi një urdhër-arrest i lëshuar nga Gjykata.

Me urdhër të Prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa hetimet lidhur me kërcënimet e dyshuara ndaj Kryeministrit janë në vazhdim.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë një pikë të përbashkët kufitare të vendosur në fshatin Stançiq, i cili është 25 kilometra larg qytetit të Kumanovës dhe 28 kilometra larg qytetit të Gjilanit. Ky vendkalim kufitar është hapur në vitin 2020.