TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Protestat e dhunshme dhe dëmtimi i bizneseve pritet të ndikojnë në ngadalësimin e ekonomisë shqiptare gjatë tremujorit të fundit të vitit. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se pasojat e dhunës gjatë protestave po ndihen nga bizneset dhe do të reflektohen në ecurinë e aktivitetit ekonomik.
Gjatë diskutimit, deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, kërkoi shpjegime për parashikimin e rritjes ekonomike prej 3.9%, krahasuar me 4% që ishte një vit më parë.
“A mund të na shpjegoni ju shprehjen ‘mrekullia ekonomike shqiptare’ që ka thënë lideri juaj global për këtë buxhet, në një kohë kur rritja ekonomike këtu parashikohet 3.9% nga 4% që ka qenë vitin e kaluar?”, pyeti Leskaj.
Në përgjigjen e saj, ministrja Ibrahimaj pranoi se protestat e dhunshme kanë ndikuar në aktivitetin ekonomik, duke theksuar se dëmtimi i bizneseve sjell pasoja në ecurinë e ekonomisë.
“Në këtë tremujor, për arsye të protestave të dhunshme, ne kemi pasur një efekt në ekonomi. Protestat qytetare nuk janë të dhunshme dhe nuk dëmtojnë biznesin privat. Për shkak të kësaj, ne do të ndiejmë një ecuri më të ngadaltë të ekonomisë, sepse kemi biznese të tëra të cilat po ndiejnë efektet e dhunës në protesta”, u përgjigj Ibrahimaj.
Një tjetër çështje e diskutuar në Komisionin e Ekonomisë ishte indeksimi i pensioneve. Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi rishikimin e formulës aktuale, duke argumentuar se pensionistët me të ardhura më të ulëta preken më shumë nga inflacioni.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh e gatshme të nisë një studim për mundësinë e aplikimit të indeksimit të shkallëzuar të pensioneve, me synimin që mbështetja të jetë më e madhe për familjet me të ardhura të ulëta.
“Unë personalisht mund të angazhohem që ta filloj një studim të tillë dhe të shohim pastaj se si është forma më e mirë për ta bërë këtë indeksim, mbase në mënyrë të shkallëzuar, në mënyrë që të ketë një impakt te ato familje që kanë në të vërtetë të ardhura më të ulëta dhe të ketë një impakt më të madh”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja u ndal gjithashtu te ndryshimet fiskale, duke garantuar se do të ketë kontrolle në treg pas uljes së TVSH-së në 6%, me qëllim shmangien e abuzimeve me çmimet.
Sipas saj, do të monitorohet edhe zbatimi i taksës së qarkullimit.