BOTA, 9 November 2026, 15:40

Komediani Russell Brand dënohet me 10 vite e gjashtë muaj burg për përdhunim dhe sulme seksuale

Komediani Russell Brand dënohet me 10 vite e gjashtë muaj burg

Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është dënuar me 10 vite e gjysmë burg, pasi u shpall fajtor të enjten për një përdhunim dhe tre raste të sulmit seksual.

Gjatë shpalljes së dënimit, gjyqtari e cilësoi Brand si një “grabitqar seksual”, duke theksuar se ai kishte thënë një sërë gënjeshtrash dhe kishte shfaqur një arrogancë të jashtëzakonshme.

Përpara dhënies së vendimit, viktimat rrëfyen në gjykatë pasojat e rënda psikologjike që kishin përjetuar si rezultat i abuzimeve.

Njëra prej grave tregoi se kishte kaluar një periudhë tronditjeje dhe trazimi të thellë emocional, gjatë së cilës kishte humbur respektin për veten.

Një tjetër e përshkroi Brand si një grabitqar seksual që nuk kishte shfaqur asnjë shenjë pendese, ndërsa një viktimë tjetër deklaroi se ishte ndier plotësisht e pafuqishme në momentin e sulmit.

Gruaja që Brand përdhunoi në vitin 2009 dëshmoi se vazhdonte të jetonte me traumën e përjetuar. Ajo tregoi gjithashtu se pas ngjarjes kishte pasur frikë se mund të ishte infektuar me virusin HIV.

Në total, Russell Brand ishte përballur me shtatë akuza penale: tri për përdhunim, tri për sulm seksual dhe një për tentativë sulmi të pahijshëm seksual. Ai u shpall i pafajshëm për tri prej këtyre akuzave.

Veprat penale për të cilat u dënua kishin ndodhur gjatë periudhës 2004–2009 dhe kishin si viktima katër gra.

Sipas legjislacionit britanik, të katërta gratë gëzojnë të drejtën e ruajtjes së anonimitetit gjatë gjithë jetës.