TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, pritën së bashku sot, në Pallatin Quirinale, kryetarët e të gjitha komunave arbëreshe në Itali, përfaqësues të komuniteteve arbëreshe, të cilët prej më shumë se pesë shekujsh mbajnë gjallë një pjesë të pazëvendësueshme të historisë dhe identitetit tonë të përbashkët evropian.
Gjatë fjalës përshëndetëse në këtë takim, Presidenti i Republikës vlerësoi lidhjet historike dhe vëllazërore shqiptaro-italiane, duke e cilësuar komunitetin arbëresh si një dëshmi të gjallë të kësaj miqësie.
“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit falënderoi në mënyrë të veçantë Presidentin Mattarella për organizimin e këtij takimi përbashkues, duke e cilësuar atë si “një mik të madh e të çmuar të Shqipërisë dhe mbështetës të anëtarësimit evropian të vendit tonë”.
“Takimi ynë i sotëm është shumë më tepër sesa një ngjarje protokollare; është dëshmi e gjallë e miqësisë së veçantë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, një miqësi që i ka rrënjët e thella historike, por që mbetet po aq e fuqishme dhe frymëzuese në kohë moderne”, u shpreh Presidenti i Republikës.
Duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Shqipërinë, Presidenti Begaj e cilësoi vendin fqinj si një aleate të besueshme, partnere strategjike dhe një nga mbështetëset më të vendosura të aspiratave evropiane të Shqipërisë.
Një vend të veçantë në fjalën e tij zuri roli i arbëreshëve dhe i komunitetit shqiptar në Itali në forcimin e miqësisë shqiptaro-italiane.
Presidenti Begaj vlerësoi modelin e integrimit të tyre në shoqërinë italiane, duke theksuar se ruajtja e identitetit kombëtar dhe integrimi në shoqërinë pritëse jo vetëm që nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por përkundrazi, e pasurojnë dhe e forcojnë atë.
“Arbëreshët dhe shqiptarët që jetojnë në Itali, si edhe italianët që jetojnë në Shqipëri, janë pjesë e kësaj afërsie të rrallë njerëzore që ekziston mes dy popujve tanë”, theksoi Presidenti Begaj.
“Sot, krahas komunitetit historik arbëresh, qëndron edhe komuniteti i ri i shqiptarëve, që prej dekadash, jetojnë, studiojnë, punojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre në Itali. Ata janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike, shoqërore, akademike dhe kulturore italiane. Dy komunitete të ndara nga shekuj historie, por të bashkuara nga aftësia për t’u integruar, për të kontribuuar dhe për të ruajtur lidhjen me origjinën dhe rrënjët e tyre”, theksoi Begaj.
Duke iu referuar këtyre shembujve, Presidenti Begaj deklaroi se integrimi dhe ruajtja e identitetit mund të ecin së bashku në Evropë.
“Në një Evropë që përballet me sfida të shumta, përvoja e arbëreshëve dhe e shqiptarëve të sotëm në Itali përcjell një mesazh me shumë vlerë: integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk e përjashtojnë njëra- tjetrën. Përkundrazi, ato mund ta pasurojnë shoqërinë dhe të forcojnë mirëkuptimin mes popujve”, u shpreh Begaj.
Krahas lidhjeve mes dy popujve, Presidenti Begaj vlerësoi edhe aleancën Shqipëri-Itali si dy vende anëtare të NATO-s, si dhe synimin për të qenë së bashku edhe në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se integrimi në BE mbetet një objektiv strategjik për Shqipërinë, me Italinë si një nga mbështetëset kryesore të këtij procesi.
Në vijim, Presidenti i Republikës u bëri thirrje kryetarëve të komunave arbëreshe që të vazhdojnë të ruajnë dhe të transmetojnë gjuhën, traditat, ritet dhe kulturën te brezat e rinj, duke e përmbyllur fjalën me mesazhin: “bëjini të rinjtë të dashurohen me këtë traditë”.
Në përfundim të takimit, krerët e dy shteteve këmbyen dekoratat, në shenjë nderimi të lartë dhe vlerësimi të ndërsjellë për rolin dhe kontributin e dhënë në forcimin e vëllazërisë, miqësisë dhe aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë.