AKTUALITET, 9 November 2026, 15:58

Tentuan të korruptojnë policët për t’i shpëtuar gjobës, procedohen penalisht dy shoferë në Durrës

Tentuan të korruptojnë policët për t’i shpëtuar

Policia Rrugore në Durrës ka goditur dy raste të tentativës për mitëdhënie, ku dy drejtues automjetesh, të cilët rezultuan se drejtonin në efektin e alkoolit, tentuan të shmangnin masën administrative duke u ofruar para efektivëve të policisë.

Sipas njoftimit të policisë, dy automjetet u ndaluan për verifikim në rrugët “Shkozet-Durrës” dhe “Princ Topia”. Pas kryerjes së testit përkatës, të dy drejtuesit rezultuan se ishin në efektin e alkoolit.

Në përpjekje për t'i shpëtuar ndëshkimit, ata tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë, duke u ofruar shuma parash.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për dy shtetasit, J. D., 41 vjeç, banues në Fier, dhe G. M., 48 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, Policia Rrugore e Durrësit u bën apel drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.