AKTUALITET, 8 August 2026, 12:45

Hita në terren: Siguria rrugore përparësi, 1100 masa për tejkalim shpejtësie brenda një jave

Siguria rrugore vijon të jetë një nga prioritetet e Policisë së Shtetit, e cila ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore dhe interurbane të vendit përmes përdorimit të mjeteve inteligjente.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektoi nga afër masat e ndërmarra nga Policia Rrugore në aksin interurban kryesor “Rrogozhinë-Durrës”, ku po përdoren mjete inteligjente për monitorimin e shpejtësisë dhe evidentimin e shkeljeve.

Gjatë inspektimit, Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, bëri me dije se mjete të ngjashme janë të dislokuara në akset kryesore të vendit, përfshirë Rrugën e Kombit, me qëllim evidentimin automatik të drejtuesve që tejkalojnë normat e lejuara të shpejtësisë.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vetëm gjatë javës së fundit mjetet inteligjente kanë evidentuar dhe sjellë në masa administrative rreth 1,100 shkelje për tejkalim të shpejtësisë, me raste që kanë arritur deri në 230 km/h.

“Siguria rrugore ngelet përparësi e Policisë së Shtetit dhe, siç e shikoni, ndodhemi me mjetet inteligjente të vendosura në rrugë, me qëllim që të bëjmë të mundur evidentimin e të gjitha shkeljeve dhe problematikave që hasim në përditshmërinë tonë. Policia Rrugore është e vendosur që të gjitha shkeljet të evidentohen me mjetet inteligjente, me ato të cilat kemi në përdorim, siç është Poliscani, apo edhe mjetet e tjera, radarë dhe dronë.

“Të gjitha këto mjete inteligjente që ne kemi në përdorim do të bëjnë të mundur që të ndëshkohen shkelësit për të gjitha shkeljet që kryejnë në rrugët kryesore dhe interurbane. Përgjatë kësaj jave, mjetet inteligjente kanë vendosur 1.100 masa administrative për shkelje të tejkalimit të shpejtësisë, që variojnë deri në 230 km/h”, tha ai.

Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë një viti, në të gjithë territorin e Shqipërisë, 1,075 drejtuesve të automjeteve u është hequr leja e drejtimit pasi kanë humbur të gjitha pikët, ndërsa 1,060 raste janë proceduar për drejtim të automjetit pa leje drejtimi.

“Këto janë me të vërtetë shifra alarmante dhe na bëjnë të kthejmë vëmendjen dhe fokusin kryesor tek siguria rrugore”, tha ai.

Sipas tij, së shpejti do të vihen në funksion edhe kamerat në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, të cilat do të integrohen në sistemin e Policisë dhe, në këtë mënyrë, do të kemi një kontroll dhe një çekim më të saktë të të gjitha shkeljeve dhe të gjitha problematikave që do të hasim në rrugët kryesore interurbane.

“Nuk është në fokusin tonë që ne vetëm të evidentojmë shkelje, në fokusin tonë është të ndërgjegjësojmë qytetarët, të parandalojmë këto shkelje rrugore dhe të mos kemi aksidente fatale”, tha Hita.

Hita u bëri apel drejtuesve të automjeteve të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike dhe të mos tejkalojnë normat e shpejtësisë, pasi shpejtësia vret.

“Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë”, tha ai.