AKTUALITET, 8 August 2026, 10:59

“Ndjesë që ju kam kërkuar votën për Ramën”, shpërthen Pavlin Luli, ish-kandidati i PS-së: Na tradhtoi

Propozimi i mazhorancës për reformën territoriale vijon të shkaktojë protesta në bashkitë që pritet të zhbëhen. Mbrëmjen e së premtes, qytetarët e Fushë-Arrëzit, administrata e bashkisë dhe deputetë të shumtë protestuan kundër shkrirjes së këtij institucioni dhe bashkimit me Bashkinë Pukë.

Protestës iu bashkuan edhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale nga opozita, Luçiano Boçi, deputeti Gjin Gjoni dhe kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri, i cili hodhi akuza të forta ndaj Arbjan Maznikut.

Nisma e PS-së ka shkaktuar pakënaqësi edhe te vetë socialistët. Ish-kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Pavlin Luli, iu bashkua kauzës së qytetarëve kundër zhbërjes së Bashkisë Fushë-Arrëz.

Edhe banorët e kanë kundërshtuar me ngulm këtë nismë, duke argumentuar se shkrirja e institucioneve vendore do të sjellë përkeqësim të marrjes së shërbimeve.

Në shenjë kundërshtimi ndaj draftit, banorët e Fushë-Arrëzit kanë nisur nënshkrimin e një peticioni, ndërsa kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestave.

Pavlin Luli: Ju kërkoj ndjesë nëse ju kam kërkuar votën për Ramën

Gjatë protestës, ish-kandidati për deputet i PS-së, Pavlin Luli, mbajti një fjalim me tone të forta kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

Luli iu drejtua qytetarëve duke kërkuar ndjesë për mbështetjen që mund t’u ketë kërkuar më herët për Edi Ramën, ndërsa deklaroi se kryeministri nuk e ka merituar dhe nuk e meriton votën e tyre.

“Ju kërkoj ndjesë nëse ju kam kërkuar votën për Edi Ramën, por ky nuk e ka merituar dhe nuk e meriton. Nuk e meriton votën e këtij populli. Nuk e ka merituar asnjëherë, se nëse ka një tradhtar të Shqipërisë, është Edi Rama, nuk jam unë”, u shpreh Luli.

Ai deklaroi se nuk i ka tradhtuar qytetarët dhe përmendi dorëheqjen e tij nga posti i drejtorit të përgjithshëm, duke thënë se kishte refuzuar të firmoste dokumente që, sipas tij, mund ta çonin në burg.

“Unë s’ju kam tradhtuar, ja ku jam. Isha drejtor i përgjithshëm, por kur këta kërkojnë që unë të firmos dhe shkoj në burg për ata, kam dhënë dorëheqjen. Nuk jam i korruptuar”, tha Luli.

Ish-kandidati socialist vijoi me akuza ndaj qeverisë, duke deklaruar se nuk është në krah të atyre që, sipas tij, duan të shesin dhe të copëtojnë Shqipërinë.

“Unë nuk jam me interesat e këtyre që duan ta shesin Shqipërinë, duan ta copëtojnë Shqipërinë. Unë jam për punë të ndershme, meritokraci, për drejtësi, për lirinë e çdo njeriu të mbrojë pronën e vet”, deklaroi ai.

Luli theksoi se përballë kësaj situate nuk duhet të ketë ndarje partiake, por bashkim rreth asaj që ai e cilësoi si dinjitet, atdhedashuri dhe vendlindje.

“S’ka parti, s’ka. Ka dinjitet, ka atdhedashuri, ka vendlindje”, u shpreh ai.

Në vijim, Luli u bëri thirrje qytetarëve të shprehnin me zë të lartë kundërshtimin ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

“Prandaj dua t’ju dëgjoj që bërtisni me zë të lartë: Poshtë qeveria e korruptuar bashkë me Edi Ramën. Jep dorëheqjen, Edi Rama!”, tha Luli.

Në përfundim të fjalës së tij, ai e kundërshtoi edhe vetë mënyrën se si është konceptuar reforma territoriale, duke e cilësuar atë si një nismë me karakter politik dhe elektoral.

“Kjo nuk është reformë administrative, kjo është reformë elektorale politike, kundër interesave të banorëve të Fushë-Arrëzit”, përfundoi Pavlin Luli.