TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gazetari grek me origjinë shqiptare, Antilian Kotzai, është përballur me qindra komente fyese dhe raciste në rrjetet sociale, pasi publikoi një shkrim ku paralajmëronte për rikthimin e retorikës së ekstremit të djathtë dhe ideologjisë së Agimit të Artë në Greqi.
Debati nisi pas një komenti të Kotzait të publikuar në gazetën greke Documento, me titullin “Kujdes, ideologjia e Agimit të Artë është këtu”.
Në shkrimin e tij, gazetari iu referua debatit të ditëve të fundit në Athinë dhe thirrjeve të personave me ide të ekstremit të djathtë për “çlirimin” e lagjes Agios Panteleimonas dhe të Athinës nga ata që i cilësojnë si “pushtues”.
Kotzai argumentonte se kjo retorikë rikthen në vëmendje sulmet dhe pogromet ndaj emigrantëve në Athinë, gjatë periudhës kur Agimi i Artë ishte në kulmin e aktivitetit të tij.
Pas publikimit të shkrimit edhe në Facebook, gazetari thotë se është përballur me qindra komente raciste, të publikuara si nga profile reale, ashtu edhe nga llogari që ai i konsideron pjesë të një sulmi të koordinuar.
“Kthehu në Shqipëri nëse nuk të pëlqen” dhe “je mysafir në këtë vend dhe nuk duhet të flasësh”, ishin disa prej mesazheve që, sipas tij, iu drejtuan publikisht.
Kotzai thotë se ndaj tij pati edhe kërcënime për ndjekje ligjore, pasi kishte shkruar se pogromet ndaj emigrantëve nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë.
Gazetari, i cili është shtetas grek dhe prej vitesh është aktiv në çështjet e integrimit dhe të drejtave të qytetarëve me origjinë emigrante, reagoi duke deklaruar se nuk ka ndërmend të heshtë përballë këtyre qëndrimeve.
“U pëlqen apo jo fashistëve, unë, ashtu si qindra mijëra fëmijë emigrantësh, jemi qytetarë grekë”, shkroi ai, duke shtuar se detyra e gazetarëve është të komentojnë çdo fenomen shoqëror që kërcënon demokracinë dhe bashkëjetesën paqësore.
Sulmi ndaj gazetarit ka sjellë edhe reagime solidariteti nga gazetarë me bindje të majta dhe politikanë të të njëjtit spektër, të cilët e kanë cilësuar rastin si një “sulm të organizuar racist”.
Sipas tyre, fakti që disa komentues i kërkuan një qytetari grek të “kthehej në Shqipëri” vetëm për shkak të origjinës së tij, përforcon pikërisht shqetësimin e ngritur nga Kotzai në shkrimin e tij.
Debati zhvillohet në një moment kur në Greqi po diskutohet sërish për aktivitetin e qarqeve të ekstremit të djathtë.
Në artikullin e tij, Kotzai kujton gjithashtu se Ilias Kasidiaris, ish-drejtues i Agimit të Artë, i shpallur fajtor në vitin 2020 për drejtimin e një organizate kriminale, ka deklaruar se synon të gjejë mënyrën për të qenë “i pranishëm” në zgjedhjet e ardhshme.
Për Kotzain, pas sulmit që mori në rrjetet sociale, mesazhi i tij mbetet i njëjtë me titullin e shkrimit që ndezi debatin:
“Ideologjia e Agimit të Artë është këtu dhe kërkon vigjilencë demokratike”.