AKTUALITET, 8 August 2026, 09:35

Fluks rekord në Morinë, mbi 76 mijë shtetas kalojnë kufirin në 12 orë! Qindra automjete drejt Shqipërisë

Mbi 76 mijë e 700 shtetas kanë hyrë dhe kanë dalë përmes pikës kufitare të Morinit vetëm gjatë 12 orëve të fundit, duke shënuar ditën me fluksin më të lartë të lëvizjeve përgjatë këtij viti.

Fluksi i lartë regjistrohet në një periudhë kur sezoni turistik ka arritur kulmin. Pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit po i drejtohen Shqipërisë për pushimet verore, ndërsa në rritjen e lëvizjeve po ndikon edhe mbërritja e diasporës.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 12 orëve të fundit janë regjistruar 41 mijë e 183 hyrje dhe 35 mijë e 584 dalje.

Pavarësisht fluksit të lartë, në Morinë nuk janë krijuar radhë. Aktualisht, pika kufitare po operon me 12 sportele, ndërsa për shtetasit shqiptarë dhe kosovarë vijon lëvizja e lirë.

Shqipëria mbetet një prej destinacioneve të preferuara për turistët dhe emigrantët, jo vetëm për plazhet, por edhe për natyrën dhe bukuritë që ofron.

Procedurat e kalimit kufitar dhe orientimi i automjeteve në rrugët e vendit, sipas pushuesve, po zhvillohen në përputhje me rregullat europiane.

Autoritetet parashikojnë se ky fluks i lartë automjetesh do të vijojë gjatë gjithë fundjavës, pasi me mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e tyre verore.