AKTUALITET, 8 August 2026, 12:28

Zbardhen detajet e sherrit në burgun e Fierit, ja kush janë dy të plagosurit

Zbardhen detaje të reja nga konflikti i regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Fier, gjatë kohës së ajrimit, ku dy të burgosur kanë mbetur të plagosur.

Sipas të dhënave, në konfliktin e regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Fier janë përfshirë Denis Brajovic (Bajri), Jurgen Zotaj dhe Aldo Gjini. Dy prej tyre, Brajovic dhe Zotaj, kanë mbetur të plagosur gjatë përplasjes ndërsa Aldo Gjini është futur në izolim.

Burime bëjnë me dije se tre të dënuarit njiheshin me njëri-tjetrin dhe kishin pasur marrëdhënie të mira, ndërsa konflikti dyshohet se ka nisur pas një debati të momentit.

Dy të burgosurit dyshohet se janë goditur me mjete prerëse të improvizuara.I pari që ka nisur konfliktin ka qenë Jurgen Zotaj i cili ka goditur Denis Bajrin.

Pas përplasjes, forcat e sigurisë së burgut kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar situatën dhe kanë rikthyer të dënuarit në qelitë e tyre.

Brajovic dhe Zotaj janë transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme dhe të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, ende nuk janë bërë të ditura rrethanat dhe motivet që çuan në nisjen e konfliktit. Autoritetet pritet të vijojnë verifikimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.