AKTUALITET, 18 August 2026, 13:07

Hetimet/ Vrasja në Ksamil, policia: Turisti nuk ishte francez, por nga Portugalia! Roli i dy turqve që po transportonin autorin

Turisti i huaj, i cili mëngjesin e kësaj të marte (18 gusht) u vra me thikë në Ksamil nuk është francez, por nga Portugalia. Kështu thotë policia, e cila në një informacion shtesë për ngjarjen hodhi poshtë atë që kishte njoftuar me parë, se viktima ishte francez. Madje edhe emri, nuk është Miguel Mendes, sic u njoftua në fillim.

Në njoftimin e dytë shtesë, blutë e Sarandës thonë se bëhet fjalë për një turist nga Portugalia, 21 vjeç, i identifikuar me inicialet L.V.

Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, Sokrat Vata ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.

Ksamil, Sarandë/Informacion shtesë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj, sqarojmë se:

Bazuar në të dhënat paraprake të disponueshme në momentet e para të ngjarjes, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005.

Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë njoftim të plotë në lidhje me këtë ngjarje.