TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo, në një intervistë për mediat foli për situatën aspak të lehtë që kaloi Himara, teksa u “pushtua” nga flakët disa ditë më parë.
Tavo u shpreh se zjarri u përhap tepër shpejt, duke thënë se janë djegur banesa të banuara e të pabanura, si dhe ullinj shumëvjeçar.
“Gjithçka nisi të premten në darkë, rreth orës 8 pa 20 minuta kur ka rënë zjarr në kodrat e qytetit, mbi lagjen 1 maji, një kodër, që është mbjellë me ullinj shumëvjeçar. Vatra e vogël e flakëve u zgjerua shumë. Menjëherë në vendngjarje shkuan zjarrfikëset, por terreni ishte i vështirë dhe nuk mund të ndërhyhej menjëherë në vatrën fillestare të zjarrit. Flakët u përhapën shpejt dhe nisi të zbresë drejt lagjes 1 Maji dhe në një moment, që përbënte rrezik për jetën e njerëzve, prandaj dhe ne bëmë thirrje për evakuuim në zonat ku kishte rrezik nga zjarri.
Menjeherë është bërë evakuuimi në zonat e rrezikuara. Fatmirësisht nuk kemi pasur jetë të humbura apo njerëz të dëmtuar. Aty kanë qenë të gjitha strukturat për ta menaxhuar situatën. U dogjën ullinj shumnëvjeçar, por edhe dëme në banesa, ku u dogjën 3 banesa të banuara dhe 3 që nuk ishin të banuara”, tha Tavo.
Më tej, tregoi se për evakuimet, u vu në dispozicion palestra e shkollës së mesme të qytetit bashkë me shtretër, por se shumë persona kanë preferuar të sistemohen tek të afërmit.
“Detyra jonë në këto raste është që të marrim masa për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Ne evakuam të parët, ata persona që ishin të rrezikuar. Ka pasur edhe persona, që nuk kanë dashur të lëvizin nga shtëpitë, por se kjo gjë ka qenë e nevojshme. Ka pasur edhe qytetarë që janë angazhuar, duke na ndihmuar në evakuim dhe në aksione të caktuara. Vërtetë u dëmtuan prona, por se u mbrojtën jetët e qytetarëve.
Siç mund ta vini re, ka pasur disa numra që kanë qenë në dispozicion dhe këtë e kemi bërë, që mos bllokohet vetëm një numër. Vetëm 12-13 turistë janë evakuuar. I kemi dërguar në vende të sigurta. Ne bëmë gati palestrën e shkollës së mesme të Himarës, me shtretër, që të jenë në gatishmëri. Por se nuk kanë preferuar këtë zgjidhje të bashkisë, por se janë evakuuar tek të afërmit e tyre. Dëmet do të dëmshpërblehen dhe ullinjtë do të rimbillen në vendin që ishin”, deklaroi Tavo.
Një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu Himarën në 4 shtator, duke prekur kodrat e qytetit. Si pasojë, gjashtë banesa u shkrumbuan, ndërsa për fat të mirë, nuk pati njerëz të lënduar.