AKTUALITET, 7 September 2026, 10:47

Situata me zjarret, 14 vatra mbeten aktive, 9 janë në monitorim! Ja zonat më problematike

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave të raportuara, janë regjistruar 44 vatra zjarri, nga të cilat 14 vijojnë aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar.

Situata më problematike paraqitet në Shkodër, ku vijojnë aktive vatrat në Bardhaj–Myselim, Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit. Në Bardhaj–Myselim po ndërhyhet nga toka dhe ajri, me 71 efektivë dhe dy helikopterë.

Zjarre aktive raportohen edhe në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit në qarkun e Tiranës, ndërsa në Dibër vijojnë vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë.

Në Lezhë mbeten aktive vatrat në Gallatë dhe në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ndërsa në Berat vijon zjarri në Vokopolë. Autoritetet bëjnë me dije se nuk raportohen banesa në rrezik në zonat e Lezhës.

Në qarqet e tjera, disa vatra janë shuar ose mbahen nën mbikëqyrje, përfshirë ato në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes – informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit

Përmbledhje e situatës së zjarreve – 07.09.2026, ora 09:00

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra zjarri, nga të cilat 14 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar.

Në operacione janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.

Situatat kryesore aktive janë:

* Shkodër: vijon aktive vatra Bardhaj–Myselim, me angazhim nga toka e ajri, përfshirë 71 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Aktive janë gjithashtu vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake. Zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

* Tiranë: aktive vijojnë zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe 1 helikopter i FA, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe 1 avion Air Tractor.

* Dibër: aktive janë vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Vatra Lundre–Madhesh po mbështetet edhe nga FA.

* Lezhë: aktive mbeten vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet; në këtë të fundit janë angazhuar edhe 63 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Nuk raportohen banesa në rrezik.

* Berat: aktive vijon vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.

Në qarqet e tjera, disa vatra janë shuar ose mbahen nën mbikëqyrje, përfshirë ato në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.