AKTUALITET, 6 September 2026, 18:23

Berisha nga New Jersey: Ramën do ta largojmë nga qeveria, misioni të çlirojmë Shqipërinë nga narkoshteti!

“PS është themeluar me krimin dhe ka qeverisur me krimin”, kështu është shprehur kreu i PD Sali Berisha në takimin e tij të zhvilluar me shqiptarët në New Jersey.

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bllokon drejtësinë me 83 mandatet e krimit, dhe se nuk lejoi heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ndërsa shtoi se po shpopullon Shqipërinë.

 

Pjesë nga fjala e Berishës:

Për ne sot, kjo është një ditë jo e zakonshme. Sot është një ditë që për mua përsëri ngjall emocione. 
Është një ditë që shumëkush e ka menduar të pamundur. E ka menduar si një ditë që nuk do ta shihnim ndonjëherë. Sepse, le të jemi të sinqertë, shumë prej nesh të paktën një herë ose më shumë kemi pyetur veten: kush jemi ne? 
Kush jemi ne për të sfiduar një padrejtësi, kur ajo padrejtësi bëhet nga forca shumëfish më të mëdha se ne. Jo pak herë kemi pyetur veten këto vite, kush jemi ne, që zëri ynë i të drejtës të dëgjohet në një botë ku për fat të keq gjithmonë e më shumë po sundohet nga e padrejta. 
Kush jemi ne që të qëndrojmë të fortë kur në momente të caktuara e gjithë bota dukej kundër nesh. Këto janë pyetje që vërtet të bëjnë të ndihesh i vogël në një botë të madhe. 
Këto janë pyetje që të bëjnë të ndihesh i pafuqishëm përballë padrejtësive shumë të fuqishme. Por kjo pyetje, kush jemi ne, ka një përgjigje, e cila përjetësisht do jetë, do jetë burim i pashtershëm i fuqisë sonë për të bërë të pamundurën të mundur. 
Ne jemi shqiptarë!
Sepse ne jemi shqiptarë dhe qëndrojmë e luftojmë të pamposhtur për dinjitetin tonë. Sepse ne jemi shqiptarë, luftojmë dhe qëndrojmë të vendosur për familjet tona. 
Ne jemi shqiptarë, ndaj dhe luftojmë në kushtet më të pabarabarta për kombin tonë, dinjitetin dhe lirinë e tij. Ne jemi shqiptarë, ndaj dhe nuk dorëzohemi. Prandaj ditë si kjo, të pamundura ne i bëjmë të mundura. Zoti ju bekoftë!
Kjo ditë shënon pra një nga ato raste, forcë e të keqes që të gjithë e njohim në një agresion të padrejtë ndaj dinjitetit tim, më mohoi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 4 vite më parë. 
Në një kohë kur unë isha, 8 vite pa asnjë pushtet, thuajse i tërhequr plotësisht nga jeta politike. Por, me fuqinë që na karakterizon ne si shqiptarë, me besimin e palëkundur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend e komb i madh, vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve. 
I qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga Shtetet e Bashkuara, por po vinte nga axhendat antiliri, antikomb, të asaj që vetë presidenti Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë. 
Duke mbajtur në mend shprehjen e një prej burrave më të ndritur dhe legjendarë të kombit të madh amerikan, Abraham Lincoln, i cili thotë se ‘rëndësi nuk ka sa herë rrëzohesh, por sa herë ngrihesh’. Dhe unë, dhe unë vendosa të ringrihem. Vërtet e nisa këtë betejë në pamje të parë në pamundësi të plotë. 
Në errësirë. Por asnjë natë, asnjë natë nuk zgjat dot pafundësisht. Në të njëjtën kohë që unë zhvillova këtë betejë, populli i madh amerikan vendosi të ringrihet duke zgjedhur si president Donald Trump në nëntor të vitit 2024. 
Pak nga pak, bota e lirë filloi të ringrihet nga agresioni i ekstremit të majtë, dhe efektet erdhën deri në Shqipëri. Ata që na treguan ne barin, përfunduan të papunë. 
Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri, sot janë prapa hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë. 
Ndaj dhe unë sot, kam një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra, gra, djem dhe vajza, shqiptarë të vërtetë që më mbështetët në orët më të para por dhe ndër më të vështirat. 
Mirënjohje të pakufishme ndaj administratës së presidentit Donald Trump, sekretarit të Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, për vendimin e tij. 

Por miq, duhet të jemi të sinqertë se, këtu nuk kam ardhur vetëm për falënderime dhe festime, ndonëse mirënjohja ime ndaj jush dhe kombit amerikan është e përjetshme dhe e pakufishme. 
Sot unë kam ardhur këtu me një thirrje të fortë për ju, por dhe çdo shqiptar tjetër në Kanada, në Itali, në Gjermani, në Greqi, në Spanjë dhe në çdo vend tjetër të Evropës dhe të botës. 
Sot nga kjo platformë kam një thirrje për çdo shqiptar në Shqipëri dhe kudo që ndodhet dhe që po na ndjek në këtë takim, në media, në internet, kam një kushtrim për të gjithë shqiptarët. 
Dita e sotme mund të jetë për ne një moment përmbushje dhe triumfi, por ne si shqiptarë kemi disa arsye shumë të forta që sot të mos jemi të përmbushur, të mos ndjehemi të përmbushur dhe triumfues. Jo dhe jo. 
Sepse Shqipëria, dheu ynë i dashur, po rrokulliset ndoshta më shumë se kurrë në ekzistencën e saj. Në Shqipëri ekstremi i majtë që ka lindur nga krimi, ka sunduar me krimin, është shartuar, është shartuar me kartelet e drogës të cilat presidenti i Shteteve të Bashkuara me shumë të drejtë po i krahason me organizatat terroriste. 
Duke sjellë kështu në jetë një monstër të rrezikshme që ushqehet me paratë e shqiptarëve ditë e natë, që lë spitalet pa ilaçe dhe mjeron të sëmurët shqiptarë, që ka rrënuar arsimin në një shkallë ekstreme, që ka shkatërruar drejtësinë dhe kontrollon atë, duke e bërë bashkë me dy-tre vite burg ata që kanë vjedhur miliona dhe pastaj i liron që të shijojnë paratë e tyre, siç ka ndodhur me Tahirin, Dakon, Beqajn, Çyrbjen, Bllakon e të tjerë, që janë liruar nga qelia dhe nuk u kanë kthyer shqiptarëve asnjë qindarkë të vjedhur. 
Kjo monstër, duke iu referuar statistikave të Eurostatit, po kërcënon tani së fundi shqiptarët edhe me uri, me çmimet që rriten 5.2 herë më shumë të ushqimeve sesa në mesataren e Bashkimit Evropian, në qytetet që kanë kapur pagën mesatare. 
Kjo monstër hibride midis ekstremit të majtë dhe karteleve të drogës është narkoshteti shqiptar, me në krye Edi Ramën, i cili po shpopullon Shqipërinë me ritme apokaliptike. 
Ka zbrazur Shqipërinë me mbi 1 milion vetëm në zonën e Shengenit, sipas shifrave të Bashkimit Evropian. Ky narkoshtet antishqiptar është themeluar dhe drejtohet nga një individ i vetëm, që ka mbledhur të gjitha pushtetet në duart e tij, më shumë se diktatori i fundit, që sundon shqiptarët duke mos lejuar zgjedhje të lira, që ka shuar përfundimisht kufirin midis partisë dhe shtetit. 
Ky monstër me emrin Edi Rama bllokon drejtësinë me 83 mandatet e krimit, siç patë në rastin e Lubi Ballukut, ku nuk u votua heqja e saj e imunitetit. Ky monstër me emrin Edi Rama kontrollon mediat kombëtare. 
Dhe ky, në bashkërendim me padronin e tij në Beograd, Vuçiçin, është faktuar një armik i egër i interesit kombëtar, një armik i egër i Kosovës dhe i kombit shqiptar. 
Miq, Edi Rama do të ishte kryeministri i parë në botë, Tirana do të ishte qeveria e parë në botë që do të vendoste sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, ndaj Kosovës. Do të mbetet përjetë në shtyllën e turpit, akti i këtij tradhtari i cili nuk la përpjekje pa bërë për të plotësuar ambiciet serbe në Kosovë, për të shpërbërë Kosovën. 
Por u dua të përshëndes përzemërsisht autoritetet e Kosovës të cilat qëndruan, të cilat qëndruan. Qëndruan me burrëri, me guxim, ndaj Vuçiçit dhe argatit të tij në Tiranë. 
Dua të përshëndes sot para jush dhe në emër tuaj, ish-udhëheqësit politikë të Kosovës që vuajnë vitet të tëra në burg nga projektet e këtij atdhe-shkatërruesi, dhe t'u uroj nga zemra të marrin pafajësinë dhe të kthehen të lirë në tokën e tyre. 
Miqtë e mi, nëse duam të shembim narkoshtetin antishqiptar, nëse duam të çlirojmë Shqipërinë nga kthetrat e ekstremit të majtë, askush nuk duhet të harrojë: Partia Socialiste është themeluar mbi krimin kombëtar dhe tradhtinë kombëtare, ka qeverisur me krimin kombëtar, vazhdon të qeverisë me krimin kundër shqiptarëve.