AKTUALITET, 7 September 2026, 10:09

Ambasadori Soreca: Nga përfitues në kontribues. 200 kompani të Ballkanit Perëndimor mund të prodhojnë municione! Integrimi gradual, kyç për sigurinë

200 kompani të Ballkanit Perëndimor mund të prodhojnë municione sipas standardeve të NATO-s, është shprehur ambasadori i BE-së, Luigi Soreca në Konferencën e Sigurisë në Sarajevë.

“Ne duam që partnerët e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga përfitues të sigurisë në kontribues të sigurisë, si për rajonin ashtu edhe më gjerë. Për këtë qëllim, Instrumenti Evropian i Paqes ka akorduar gjithsej 98 milionë euro për Ballkanin Perëndimor, nga të cilat një e treta (35 milionë euro) i është dhënë vetëm Bosnje dhe Hercegovinës”, tha ai.

Ndër vendet me kapacitetin më të madh për të prodhuar municione, Soreca veçoi Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë.

Katër shtete të Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Shqipëria, gjithashtu kontribuojnë me trupa ose ekspertë në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së.

Sipas ambasadorit, rol të rëndësishëm në siguri luan edhe zgjerimi, ku përmendi përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë me negociatat.

“Viti 2026 pritet të jetë një vit rekord për përparimin në këtë drejtim. Shohim se Mali i Zi ka mbyllur më shumë se gjysmën e kapitujve të negociatave dhe shtetet anëtare të BE-së kanë nisur përgatitjen e Traktatit të Anëtarësimit të tij. Shqipëria ka nisur zyrtarisht mbylljen e kapitujve dhe potencialisht mund t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Soreca.

Ambasadori përkrahu edhe idenë e integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor si "element kyç" për sigurinë dhe mbrojtjen.