SPORT, 3 August 2026, 20:32

Ferran Torres i hap derën transferimit, klubet tani po punojnë për të mbyllur marrëveshjen

Paris Saint-Germain po punon për të finalizuar transferimin e Ferran Torresit nga Barcelona dhe në klubin francez ekziston optimizëm se marrëveshja mund të arrihet gjatë kësaj jave.

Sipas gazetarit Matteo Moretto, PSG ka përshpejtuar negociatat me Barcelonën dhe synon të arrijë sa më shpejt një marrëveshje mes klubeve për sulmuesin spanjoll.

Barcelona raportohet se kërkon të paktën 55 milionë euro për kartonin e Torresit, i cili ka edhe 11 muaj të mbetur në kontratën e tij me klubin katalunas.

26-vjeçari thuhet se është i hapur për një largim nga “Camp Nou”, pasi nuk është ndier mjaftueshëm i vlerësuar nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

Një faktor shtesë që mund ta bindë Torresin për kalimin në Paris është mundësia e një ribashkimi me Luis Enriquen, ish-trajnerin e tij te Kombëtarja e Spanjës.

Vetë Torres ka pranuar se ende nuk e ka vendosur të ardhmen e tij. Në një intervistë për “NBC Today Show”, sulmuesi spanjoll deklaroi: “Kam kontratë me Barcelonën, por në futboll nuk i dihet kurrë. Po pres të marr vendimin e duhur. Ende nuk e di”.

I pyetur nëse ka një klub ëndrrash, Torres u përgjigj: “Ëndrra ime është të jem i lumtur”.

Ferran Torres iu bashkua Barcelonës në janar të vitit 2022 nga Manchester City dhe që atëherë ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës katalunase, por tashmë mund të jetë pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij.