SPORT, 3 August 2026, 13:59

Tifozët e Spartakut kundër transferimit të Mirlind Dakut në Moskë: Jashtë fundërrinat shqiptare, mbështesim vëllezërit serbë

Transferimi i Mirlind Dakut te Spartaku i Moskës pritet të zyrtarizohet së shpejti, por sulmuesi shqiptar nga Kosova po përballet me një situatë të pakëndshme ende pa e veshur fanellën e klubit rus dhe kjo nga mbështetësit pro rusë të Spartakut.

Një pjesë e organizuar e tifozëve të klubit nga Moska, 'Crazy North', ka dalë publikisht kundër afrimit të tij, duke përdorur gjuhë fyese dhe mesazhe me përmbajtje të rëndë ndaj shqiptarëve.

Në kanalin e tyre në Telegram, grupi ultras shkroi: “Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj transferimit të mundshëm të Mirlind Dakut në klubin tonë. Ne mbështesim popullin vëlla serb dhe qëndrimi ynë ndaj ustashëve, si dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve, mbetet i pandryshuar”.

Në anën tjetër, mesazhi në pankartë thuhet: “Fundërrina shqiptare jashtë!”.