TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Transferimi i shumëpritur i Yan Diomande nga RB Leipzig te Real Madridi është përballur me një pengesë të papritur, që nuk lidhet me aspektin financiar të marrëveshjes, por me një konflikt ligjor mes agjencive që pretendojnë të drejtat e përfaqësimit të futbollistit.
Sipas MARCA, padia e ngritur nga agjencia Maxidel Management, ish-përfaqësuesit e Diomandes, kundër agjencisë aktuale Roc Nation ka mbërritur tashmë në FIFA dhe po rrezikon të vonojë finalizimin e transferimit.
Real Madridi kishte zhvilluar negociatat me Roc Nation, kompania e reperit Jay-Z që përfaqëson edhe Vinicius Junior dhe Endrick, pa qenë në dijeni të mosmarrëveshjes ligjore me Maxidel. Sipas raportit, kjo situatë ka shkaktuar shqetësim te drejtuesit e klubit madrilen.
Problemi bëhet edhe më kompleks pasi RB Leipzig vazhdon të kërkojë mbi 100 milionë euro për kartonin e lojtarit, ndërsa Maxidel pretendon se vazhdon të ketë të drejta mbi Diomanden deri në largimin e tij nga klubi gjerman.
Si pasojë, Real Madridi mund të detyrohet të negociojë edhe me Maxidel, të presë një marrëveshje mes dy agjencive ose të shpresojë që FIFA të mos ndërhyjë në procesin e regjistrimit të lojtarit derisa të zgjidhet konflikti.
Sipas MARCA-s, Maxidel dhe Roc Nation nuk janë të vetmet palë në konflikt.
Në këtë histori janë përfshirë edhe ish-agjenti i lojtarit, Dez Bamba, si dhe kompania Rainbow, të cilët kanë ngritur padi të ndërsjella lidhur me të drejtat e përfaqësimit dhe të imazhit të futbollistit nga Bregu i Fildishtë.
Kjo ka krijuar një situatë juridike shumë të ndërlikuar, ku disa palë pretendojnë të drejta mbi të ardhmen e Diomandes.
Si nisi gjithçka?
Diomande u bë i njohur në vitin 2022 gjatë një turneu U17 në Ganë, ku shënoi pesë gola dhe tërhoqi vëmendjen e shumë skautëve.
Pas kësaj, ai kaloi fillimisht në akademinë Blue Crow në Dubai dhe më pas në DME Academy në Florida, ku vazhdoi zhvillimin e tij.
Në atë periudhë interes për të shfaqën klube si Bournemouth, Rangers, Crystal Palace dhe Chelsea, por asnjë transferim nuk u realizua.
Pas skadimit të vizës amerikane, Diomande u rikthye në Bregun e Fildishtë, ku nisën edhe mosmarrëveshjet për përfaqësimin e tij.
Leganés, pika e kthesës
Në vitin 2024 ai firmosi me Leganés, klub që i përket grupit Blue Crow. Brenda pak muajsh u ngjit nga ekipi i të rinjve te skuadra e parë dhe debutoi në La Liga më 29 mars 2025 pikërisht ndaj Real Madridit, në një ndeshje ku ndërroi fanellën me Kylian Mbappe.
Paraqitjet e tij tërhoqën interesin e 41 klubeve evropiane. Monaco ishte shumë pranë transferimit, por nuk pranoi të paguante klauzolën prej 20 milionë eurosh.
Në fund ishte RB Leipzig që aktivizoi klauzolën dhe e transferoi talentin nga Bregu i Fildishtë.
Nga zbulimi i Bundesligës te beteja ligjore
Në sezonin e tij të parë në Gjermani, Diomande shpërtheu me paraqitje të shkëlqyera dhe u shpall lojtari më i mirë i ri i Bundesligës.
Megjithatë, paralelisht nisën edhe konfliktet mes agjencive.
Maxidel njoftoi se kishte rinovuar kontratën me lojtarin, por Dez Bamba e mohoi publikisht këtë. Më pas Diomande firmosi me Roc Nation, duke e bërë situatën edhe më të ndërlikuar.
Sot Maxidel pretendon se ka ende të drejtën të menaxhojë largimin e tij nga Leipzig, Roc Nation këmbëngul se është përfaqësuesja legjitime e lojtarit, ndërsa Rainbow vazhdon të kërkojë të drejta mbi imazhin e futbollistit.
Real Madridi pret zhvillimet
Real Madridi po ndjek me kujdes zhvillimet, pasi klubi zakonisht ruan 50 për qind të të ardhurave nga të drejtat e imazhit të futbollistëve dhe dëshiron që kjo çështje të jetë plotësisht e qartë para finalizimit të marrëveshjes.
Megjithatë, sipas MARCA-s, konflikti mes agjencive nuk pritet ta pengojë FIFA-n të regjistrojë lojtarin sapo Real Madridi dhe RB Leipzig të arrijnë marrëveshjen përfundimtare ekonomike.
Ndërkohë, Diomande vazhdon të qëndrojë jashtë aktiviteteve parasezonale të Leipzigut, në pritje që transferimi i tij te Real Madridi të marrë dritën jeshile. /Telegrafi