AKTUALITET, 19 August 2026, 14:14

Aksidenti tragjik në Durrës/ Ekspertiza zbardh dinamikën: Makina lëvizte me 114 km/orë, drejtuesi ishte i dehur

Detaje të reja janë zbardhur nga ekspertiza për aksidentin tragjik të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën çifti i sapomartuar, Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli, si dhe një 15-vjeçar. Sipas konkluzioneve të ekspertëve, automjeti pak para aksidentit lëvizte me një shpejtësi prej rreth 114 km/orë.

Nga rindërtimi i dinamikës së ngjarjes rezulton se, teksa merrte kthesën, drejtuesi humbi kontrollin mbi automjetin. Fillimisht, goma e përparme në krahun e pasagjerit u përplas me bordurën, duke bërë që automjeti të humbiste më tej stabilitetin. Pas përplasjes me bordurën, makina u përmbys dhe më pas rrëshqiti për rreth 40 metra, deri në ndalimin e saj.

Një tjetër element i rëndësishëm i ekspertizës lidhet me gjendjen e drejtuesit të automjetit. Analizat toksikologjike kanë konfirmuar se ai kishte konsumuar alkool. Ndërkohë, dy persona të tjerë të përfshirë në aksident ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmë mjekësore.