TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Detaje të reja dalin nga dosja hetimore për skemën e dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave në zonën kadastrale të Levanit, në Fier.
Siç bën me dije gazetarja Anila Hoxha, në qendër të hetimeve është regjistrimi i gjashtë pasurive të paluajtshme, ndryshimi i të dhënave kadastrale dhe shitja e disa prej tyre për një vlerë totale prej 715.976 eurosh.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Fierit ka hetuar dyshimet për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Pas shpalljes në kërkim, është kapur dhe arrestuar Hidir Zani, jurist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, ndaj të cilit gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas të dhënave të dosjes, hetimi lidhet me pasuritë e paluajtshme në zonën kadastrale nr. 2436, në Levan të Fierit. Hidir Zani dyshohet se, në cilësinë e juristit të Kadastrës, ka shpërdoruar detyrën duke proceduar me regjistrimin e gjashtë pasurive në emër të personave të përfshirë në këtë çështje.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka hartuar dhe nënshkruar elektronikisht urdhrin për ndryshimin e zërit kadastral të këtyre pasurive nga “Arë” në “Tokë pa frut”. Sipas dokumentacionit të administruar gjatë hetimit, dokumentet e përdorura dyshohet se nuk përbënin bazë të përshtatshme ligjore për kryerjen e këtij ndryshimi.
Në vijim të këtyre veprimeve, disa prej pasurive janë tjetërsuar përmes shitjes, me një vlerë totale prej 715.976 eurosh. Për këtë shumë, gjykata ka vendosur sekuestrimin preventiv, pasi paratë ndodheshin në një llogari bankare në emër të shtetasit Ervin Habilaj. Masa synon të parandalojë tjetërsimin e mëtejshëm të shumës dhe të garantojë rezultatet e procedimit penal.
Në kuadër të hetimit, me vendimin e datës 17 shtator 2026, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Ervin Habilaj, Ertis Shehu dhe Hidir Zani. Për shtetasin Emiljano Ruko është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Hidir Zani ishte shpallur në kërkim, ndërsa pas veprimeve për lokalizimin e tij, është bërë i mundur kapja dhe arrestimi në zbatim të masës së sigurisë të caktuar nga gjykata.
Çështja po hetohet nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në kuadër të procedimit penal nr. 1715/2025, nën drejtimin e prokurores Iva Hoxha.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e çështjes, për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të dyshuar dhe për të verifikuar të gjitha veprimet që lidhen me regjistrimin e pronave, ndryshimin e të dhënave kadastrale, shitjen e pasurive dhe qarkullimin e shumave monetare të përfituara.