AKTUALITET, 9 September 2026, 10:07

Detaje/ Shpërthimi, Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës: Dyshohet se ka ndodhur në zyrat e pikës së karburantit! Pati edhe rrjedhje gazi

Shkëlqim Goxhaj, Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës dha detaje në lidhje me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure, në pikën e karburantit ‘Eida’ në Brryl.

Ai theksoi se dyshohet që shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit, ndërsa shtoi se ka pasur edhe rrjedhje gazi. Sipas tij, po hetohet edhe për defekte teknike në pikën e karburantit.

“Situata u vu në kontroll në pak minuta. Ka qenë shpërthim, jo zjarr. Dyshojmë se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e pikës së karburantit. Zyra është djegur dhe pjesa përpara nuk është përfshirë nga flakët por është dëmtuar nga shpërthimi. Kjo na bën të mendojmë se shpërthimi është në zyra.

Shpërthimi ka ndodhur nga gazi. Për defektet teknike dhe problemet që mund të ketë pasur pika ne do t’i konstatojmë. Përfaqësuesit e automjetit thonë se mund të ketë qenë dhe automjeti që ka goditur pikën e karburantit, ashtu siç na ka ndodhur para disa vitesh por ngelet për t’u parë. Policia po këqyr kamerat”, tha Goxhaj.

Në një prononcim për mediat Goxhaj tha pati edhe rrjedhje gazi dhe për këtë arsye në objekt shpërtheu edhe një zjarr që vu në kontroll nga shërbimet zjarrfikëse.

“Në orët e para të mëngjesit kemi pasur shpërthim të gazit këtu te karburanti te ‘Brrlyli.  Është lajmëruar shërbimi zjarrfikës në sallën operative dhe janë aktivizuar dy stacionet që janë më afër. Në pak minuta kanë arritur në vendngjarje dhe është konstatuar se pika e karburantit dhe ambientet e zyrave ishin shembur për shkak të shpërthimit, si dhe kishte flakë.

Flakët u shkaktuan nga rrjedhja e gazit. Zjarrfikësit mbyllën rubinetin dhe ndaluan rrjedhjen e tij në pak minuta. Shpërthimi ka ndodhur në zyrat e pikës së karburanti. Përfaqësuesit e bizneseve na thonë që një automjet mund ketë goditur zyrat e karburantit, por mbetet për t'u parë, do shihen kamerat e sigurisë. Do ta hetojmë nëse ka qenë defekt teknik i karburantit”, tha Shkëlqim Goxhaj.

Ndërkohë, tre punonjësit e karburantit që mbetën të dëmtuar nga shpërthimi janë transportuar në spital dhe, sipas Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.