AKTUALITET, 8 September 2026, 22:46

Protesta/ Pas thirrjeve para Komisariatit nr. 6, lirohet gazetari Shpend Gashi! Qytetarët kërkojnë lirimin e protestuesve të tjerë

Qytetarë të shumtë janë mbledhur pranë Komisariatit nr. 6 në Tiranë, ku kanë kërkuar lirimin e protestuesve të shoqëruar gjatë protestës së sotme.

Të pranishmit kanë brohoritur në kor “Nuk jeni vetëm” dhe “Lironi shqipet”, duke kërkuar lirimin e personave që ndodhen në ambientet e komisariatit.

Mes thirrjeve të qytetarëve, është liruar edhe gazetari Shpend Gashi.

Gashi është liruar nga Komisariati nr. 6 i Policisë së Tiranës, ku ishte shoqëruar pas tensioneve të krijuara gjatë protestës, bashkë me kreun e partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.

Në Komisariatin nr. 6 vijojnë të mbahen disa protestues, ndërsa raportohet se në total 20 persona janë shoqëruar nga efektivët e Policisë gjatë ditës së sotme.

Qytetarët e mbledhur para komisariatit vijojnë të kërkojnë lirimin e të gjithë personave të shoqëruar.