AKTUALITET, 8 September 2026, 20:51

Nderimet për Ratko Mlladiç në Serbi/ Ministri Hoxha: Glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat evropiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha reagoi sot për nderimet ndaj Ratko Mlladiç në Serbi.

“Shqipëria dënon glorifikimin e Ratko Mladić, një kriminel lufte i dënuar që vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, shkruan Hoxha në një postim në rrjetin social X.

Hoxha shprehet se Shqipëria i bashkohet Bashkimit Evropian, udhëheqësve të tij dhe të gjithë atyre që me të drejtë kanë dënuar mënyrën se si ai u nderua në Serbi.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe mbetet konsistent: glorifikimi i kriminelëve të luftës të dënuar, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar projekti evropian dhe minojnë frymën e pajtimit, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë që janë thelbësore për një të ardhme të përbashkët në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Hoxha.

Ministri nënvizoi se, akte të tilla shkaktojnë më shumë dëm sesa thjesht rihapja e plagëve të së kaluarës.

“Ato fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit, gërryejnë besimin midis komuniteteve dhe njerëzve”, shtoi Hoxha.

Ministri theksoi se, Shqipëria beson fuqimisht se pajtimi i vërtetë mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, llogaridhënien, respektin për viktimat dhe të mbijetuarit dhe një angazhim të përbashkët për të siguruar që krimet e së kaluarës të mos përsëriten kurrë.

“Rajoni ynë ka një të ardhme për të ndërtuar së bashku. Kjo e ardhme duhet të jetë evropiane: e rrënjosur në paqe, pajtim, bashkëpunim, respekt të ndërsjellë dhe respekt të palëkundur për kujtimin e atyre që vuajtën nga tmerret e luftës”, u shpreh Hoxha.