AKTUALITET, 9 September 2026, 09:01

Shpërthen gazi gjatë furnizimit të një makine në pikën e karburantit mes 2 pallateve te 'Brryli', plagosen 3 punëtorë

 Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në zonën e Brrylit, në pikën e karburantit “Eida”. Ngjarja është regjistruar në një zonë të populluar, ku ndodhen edhe disa pallate në afërsi të pikës së karburantit.

Sipas policisë bombola e gazit ku furnizohen makinat ka shpërthyer, ndërsa në momentin e ngjarjes ka qenë edhe një automjet duke u furnizuar.

Nga shpërthimi kanë mbetur të dëmtuar edhe tre punonjës të karburantit, të cilët ndodhen te Trauma jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë si pasojë e shpërthimit është shembur godina njëkatëshe e objektit.

Policia dhe forcat zjarrfikëse ndodhen në vendin e ngjarjes,për zbardhjen e plotë të rrethanave.

"Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet. Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën.   Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit" njoftoi sot policia.