TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dy shqiptarë rrezikojnë 18 muaj burg për përfshirjen e tyre të dyshuar në një plantacion shumë të madh kanabisi, të zbuluar në Dison të Belgjikës. Të dy pretendojnë se kanë qenë vetëm vartës të një organizate kriminale me bazë në Shqipëri.
Ngjarja daton në qershor të vitit 2023, kur banorët e rrugës Bonvoisin në Dison njoftuan policinë e zonës Vesdre për lëvizje të dyshimta në numrin 12 të kësaj rruge, në qendër të qytetit, ku ndodhet një fermë e vjetër.
Një kontroll fillestar zbuloi një konsum anormal të energjisë elektrike në banesë, duke ngritur dyshimet e policisë për ekzistencën e një plantacioni kanabisi.
Dyshimet u konfirmuan pas kontrollit të objektit. Brenda tij u zbulua një plantacion gjigant me katër dhoma kultivimi, ku në total ndodheshin 6.124 bimë kanabisi.
35-vjeçari: Isha vetëm kopshtar
Policët kapën në banesë një shqiptar 35-vjeçar, i cili flinte mbi një dyshek të thjeshtë.
Gjatë marrjes në pyetje, ai deklaroi se ishte vetëm një kopshtar, i rekrutuar nga Tirana për një periudhë prej dy muajsh dhe për një pagesë prej 15.000 eurosh. Sipas tij, detyra e tij ishte mirëmbajtja e plantacionit dhe fillimisht nuk e dinte se bëhej fjalë për kultivim kanabisi.
Hetuesit zbuluan gjithashtu gjurmë ADN-je në mbulesën plastike të një prej dhomave të kultivimit. Kjo gjurmë çoi te një tjetër shqiptar, 28 vjeç, i cili në atë kohë ndodhej në burgun e Lantinit, pasi ishte dënuar për posedim të një arme zjarri.
Edhe 28-vjeçari mohoi përfshirjen në kultivimin e kanabisit. Ai deklaroi se ishte punësuar vetëm për të transportuar materiale, për të cilat pretendoi se nuk e dinte se për çfarë do të përdoreshin. Ai tha gjithashtu se nuk kishte shkelur kurrë në banesën ku ishte zbuluar plantacioni.
Hetimet nuk zbuluan personat pas plantacionit
Pavarësisht hetimeve, autoritetet nuk arritën të identifikonin personat që qëndronin pas organizimit të plantacionit me mijëra bimë kanabisi.
Dy të arrestuarit janë dëbuar më pas në Shqipëri. Për njërin prej tyre nuk ka më asnjë informacion, ndërsa tjetri përfaqësohet nga një avokat, i cili kërkon pafajësinë e klientit të tij.
Sipas avokatit, gjurma e gishtit e zbuluar në mbulesën plastike nuk është domosdoshmërisht provë e përfshirjes së klientit të tij në aktivitetin e paligjshëm, pasi ajo mund të ketë përfunduar aty gjatë transportimit të materialit.
Rasti vijon të jetë nën shqyrtim gjyqësor, ndërsa vendimi pritet të jepet pas një muaji.