SPORT, 15 July 2026, 15:50

Botërori 2026/ Sonte gjysmëfinalja Angli-Argjentinë, e mbushur me histori dhe luftë! Tuchel: Të ndalojmë Messi-n

Anglia kundër Argjentinës është gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Botës 2026. Në Atlanta, ‘Tre Luanët’ dhe kampionët në fuqi, Argjentina, përballen në atë që është konsideruar si një nga rivalitet më të gjatë dhe më të nxehta në historinë e Botërorëve, duke nisur me çerekfinalen e fituar nga Anglia në 1966, më pas ‘Dorën e Zotit’ në 1986 dhe po në të njëjtën ndeshje goli i shekullit, e më pas gjuajtje e penalltive në 1998 dhe duke e mbyllur me kartonin e kuq të Beckham për faullin ndaj Simeones.

Sot Anglia zbret si pretendente, por argjentinasit janë të karikuar edhe nga historitë jashtë fushë: siç është lufta për Ishujt Falkland në 1980 për të cilën kënduan lojtarët pas kualifikimit ndaj Zvicrës.

Ky është dueli i parë në 24 vite mes dy kombëtareve dhe i pari në karrierën 21-vjeçare të Messit me Argjentinën kundër Anglisë. Shënuesi i 8 golave këtë Botëror thotë se ‘të luash kundër një kombi të madh si Anglia, që është me potencial shumë të madh, sidomos në gjysmëfinale të Botërorit është kënaqësi e madhe’. Pikërisht Messi është ai që shqetëson më shumë edhe Anglinë, teksa trajneri Tuchel në konferencë për shtyp tha se ‘duhet të gjejmë një mënyrë për të ndalur Messi-n’. Trajneri e Anglisë e pranoi se ‘kjo nuk është një ndeshje e zakonshme’, ndërsa shtoi se ‘tre luanët nuk kënaqen me arritjen në gjysmëfinale’.

Sakaq trajneri i Argjentinës Lionel Scaloni ka kundërshtuar opinionet se ‘albicelestët kanë luajtur keq në këtë Botëror’ dhe ka shtuar se ‘jemi në formë për gjysmëfinalen’. Ai gjithashtu ka zgjedhur të mos merret me mediat angleze që një ditë më parë shkruan se ‘FIFA i bëri nder Messi-t duke zgjedhur arbitrin e preferuar për ndeshjen’. Referuar faktit se Ismail Elfath nga MLS-ja amerikane do të jetë arbitër në gjysmëfinale.