TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-futbollisti i njohur kroat, Dario Simic, është arrestuar nga autoritetet në Kroaci nën dyshimet për përfshirje në një çështje korrupsioni që lidhet me ndërtimin e një kampingu turistik në bregdet.
Sipas agjencisë kroate të lajmeve Hina, Simic dyshohet se ka siguruar lejet e ndërtimit në mënyrë të paligjshme, përmes ryshfetit dhe procedurave të parregullta.
Mediat vendase kanë publikuar edhe pamje të ish-mbrojtësit kroat të prangosur gjatë momentit të arrestimit.

Bashkë me të janë ndaluar edhe dy persona të tjerë, mes tyre një ish-zyrtare rajonale e turizmit dhe një biznesmen lokal, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në skemën e paligjshme.
Hetimi lidhet me një kamping të ndërtuar në Tisno, një zonë bregdetare pranë Splitit. Sipas autoriteteve, objekti është ndërtuar në mënyrë të paligjshme, pasi një pjesë e tokës nuk ishte e destinuar për ndërtim dhe nuk përmbushte kriteret e planifikimit urban.
Prokuroria dyshon se gjatë viteve 2020–2021, ish-zyrtarja rajonale Neda Livljanic ka miratuar lejet për ndërtimin e kampingut, pavarësisht shkeljeve të konstatuara, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet kroate po mbledhin prova për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të korrupsionit. Deri tani, nuk ka një vendim gjyqësor që përcakton fajësinë e personave të arrestuar.
