BOTA, 22 Shtator 2022, 19:29

Zelensky përshëndet shkëmbimin e të burgosurve, e quan fitore për vendin

Zelensky përshëndet shkëmbimin e të burgosurve, e quan

Presidenti Volodymyr Zelensky i cilësoi superheronj 5 komandantët e lartë ukrainas të liruar nga Moska të mërkurën, si pjesë e një marrëveshjeje, që përfshiu shkëmbimin e rreth 300 të burgosurve, mes tyre edhe shtetas të huaj. Tre nga pesë nga ushtarakët e lartë të liruar ishin komandantë të forcave që mbrojtën qytetin e Mariupolit.

Sipas kushteve të marrëveshjes, për ndërmjetësimin e së cilës ndihmoi Turqia, 215 ukrainas, shumica e tyre të kapur pas rënies së qytetit-port, u liruan të mërkurën. Në këmbim, Ukraina dorëzoi 55 rusë dhe ukrainas pro-Moskës.

Dhjetë shtetas të huaj u liruan me ndërmjetësimin e Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin. Mes tyre ishte edhe britaniku Aiden Aslin, dënuar me vdekje nga një gjykatë në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut.

Koha dhe përmasa e shkëmbimit erdhi si befasi. Më herët gjatë ditës së mërkurë presidenti Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm të trupave në Rusi, në atë që u pa si një përshkallëzim i dukshëm i konfliktit që prej fillimit të tij në muajin shkurt. Muajin e kaluar separatistët pro-rusë njoftuan se komandantët e Mariupolit do të dilnin në gjyq.

"Pesë superheronj janë shkëmbyer për 55 nga ata që nuk meritojnë as dhembshuri as keqardhje", tha presidenti ukrainas Zelenskiy gjatë fjalimit të mbrëmjes duke e cilësuar lirimin "një fitore për vendin".

Kjo është marrëveshja më e madhe për shkëmbim të burgosurish që nga fillimi i luftës. Ministria ruse e mbrotjes bëri të ditur se luftëtarët e saj ishin transportuar në Rusi me një aeroplan ushtarak dhe po i nënshtroheshin kontrolleve shëndetësore.

Kreu separatist i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, tha se ishte liruar edhe politikani ukrainas, pro-Kremlinit, Viktor Medvedchuk. Ky i fundit, një mik personal i Vladimir Putinit, drejtonte një parti pro-ruse në Ukrainë të shpallur të jashtëligjshme dhe po përballej me akuza për tradhti.

Mes pesë komandantëve të lartë ukrainas të liruar ishte nënkoloneli Denys Prokopenko dhe zëvendësi i tij, Svyatoslav Palamar, të dy të batalionit Azov, që mbajtin peshën më të madhe të luftimeve në Mariupol.

Gjithashtu u lirua Serhiy Volynsky, komandanti i Brigadës së 36-të Detare. Të tre ndihmuan në udhëheqjen e rezistencës disa javore përpara se të dorëzoheshin në muajin maj tek forcat e mbështetura nga Rusia së bashkë me qindra luftëtarë të batalionit Azov.

Pesë komandantët do të qëndrojnë në Turqi deri në fund të luftës. Zoti Zelenskiy falënderoi presidentin turk Tajip Erdogan për ndihmën, pas asaj që ai e quajti një përpjekje e gjatë dhe e vështirë për të siguruar lirimin e tyre. /VOA