BOTA, 22 Shtator 2022, 17:05

Gazetarja nuk mbante shami, presidenti iranian refuzon të bëjë intervistën

Gazetarja nuk mbante shami, presidenti iranian refuzon të bëjë

Një valë zemërimi po përfshin Iranin pas vdekjes së një vajze 22-vjeçare e cila u arrestua nga e ashtuquajtura Policia Morale e Teheranit për mosbindje ndaj urdhrit për të mbuluar mirë flokët e saj.

Siç raporton gazetarja britaniko-iraniane Christian Amanpour në postimin e saj në Twitter, ajo kishte organizuar një intervistë me presidentin e Iranit, Ebrahim Raishi, për ta pyetur për vdekjen e 22-vjeçares, por edhe për protestat që kanë shpërthyer në shumë zona të vendit.

Gazetarja vëren se do të ishte intervista e parë e presidentit iranian në tokën amerikane.

“Pas javësh përgatitjeje dhe orëve të gjata të vendosjes së pajisjeve të përkthimit, dritave dhe kamerave, ne ishim gati. Por presidenti Raisi nuk u paraqit. Dyzet minuta më vonë erdhi një asistent. Siç më tha, presidenti më sugjeroi të mbaj shami, sepse janë muajt e shenjtë të Muharremit dhe Safarit”, tregon Amanpour.

Gazetarja refuzoi me mirësjellje, ndërsa shtoi: “Jemi në Nju Jork, ku nuk ka asnjë ligj apo traditë për shamitë. Theksova se asnjë president iranian nuk e kishte kërkuar më parë këtë kur i intervistova jashtë Iranit”.

“Asistenti e bëri të qartë se intervista nuk do të bëhej nëse nuk mbaja shami. Ai foli për një çështje respekti dhe foli për situatën në Iran – duke iu referuar protestave që kanë përfshirë vendin”, tha Amanpour.

“Përsëri thashë se nuk mund të pajtohesha me këtë kërkesë të paprecedentë dhe të papritur”, thekson ajo.

“Dhe kështu u larguam. Intervista nuk u bë. Në një kohë kur protestat vazhdojnë dhe njerëzit po humbasin jetën, do të ishte një moment i rëndësishëm për të biseduar me Presidentin Raisi”, përfundoi gazetarja.