AKTUALITET, 21 October 2026, 15:25

Akuzat e Berishës: Rama ka plan për të destabilizuar vendin, që të fajësojë studentët!

Akuzat e Berishës: Rama ka plan për të destabilizuar vendin,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pretendon se grupi i  personave të maskuar, të cilët janë filmuar dje duke dalë nga ambientet e Ministrisë së Brendshme, synonin të kryenin akte kriminale dhe t’ua faturonin studentëve protestues.

Në një videomesazh drejtuar qytetarëve, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përgatit një plan për destabilizimin e vendit, me qëllim që përgjegjësinë për incidentet e mundshme t’ua atribuojë studentëve dhe të ruajë pushtetin.

Një pjesë të mesazhit të tij, Berisha ia kushtoi thirrjes për mobilizimin e qytetarëve në mbështetje të studentëve dhe të rinjve që protestojnë. Ai i ftoi qytetarët të dalin në rrugë dhe të bashkohen me protestuesit, duke e cilësuar këtë si mënyrën për t’i dhënë fund, sipas tij, qeverisjes së Edi Ramës.

“Edi Rama ka një plan për të destabilizuar vendin, në mënyrë që të fajësojë studentët për këtë destabilizim, vetëm e vetëm që të ruaj karrigen e tij, pushtetin e tij të krimit. Platforma e tij për destabilizim synon të bëj krime, vrasje dhe të fajësoj studentët për to, në mënyrë që shqiptarët ti kthej kundra tyre. Kjo u duk qartë dje; Një grup personash me dopio maska, janë filmuar ditën e djeshme duke dalë nga Ministra e Brendshme me fytyrë te mbuluar me maskë të zezë, por dhe me maskën tjetër duke thirrur ‘Rama në burg’ me qëllime për të mësyrë, sulmuar bizneset private dhe realizuar krime të tjera ndaj protestuesve që tu faturohen studentëve. Fatmirësisht ishte meritë e mediave, që e kapën na flagrancë me video, këtë grup terrorist që u lëshua nga ambientet e ministrisë se krimit, e cila parandaloj një tragjedi absolutisht të stisur nga Edi Rama.

Ftoj qytetarët të bashkohen sot me studentët, si e vetmja mënyrë për tu ndarë sa me shpejt me Padrinon dhe narkoshtetin e tij. Në videomesazhin e tij të sotëm, Edi Rama gjysmën e kohës foli për dialogun, ndërsa gjysmën tjetër vijoi kërcënimet e tij, pjesë e strategjisë së terrorit të kuq. Kërcënoi me ndëshkime konstante, ligjore, financiare etj. Kërcënoi studentët që rreh barbarisht, me ndëshkime për ato krime, që dje tentoi të kryente vet me grupin e maskuar që lëshoi nga ministria. Partia Demokratike garanton çdo protestues, student apo qytetar se me largimin e Padrinos nga pushteti, çdo dhunues i tyre do të ndëshkohet në përputhje me ligjet më të rrepta, dhe çdo protestues do të dekorohet dhe do të dëmshpërblehet 100% për dëmet që ka pësuar dhe dënimet e pamerituara që ka marrë.

Ndaj dhe një herë, ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen me studentët sot. Terrori dhe destabiliteti nga Edi Rama, nuk kanë vend në Shqipërinë e vitit 2026. Zgjidhja për të qetësuar tensionet. Zgjidhja për të kthyer stabilitetin dhe normalitetin në vend. Zgjidhja për të kthyer rendin dhe sigurinë. Zgjidhja për të shpëtuar Shqipërinë, është një dhe vetëm një. Dhe në këtë pikë nuk është dialogu, por është thirrja më e dëgjuar sot në rrugët e Tiranës. Është thirrja e shkruar kudo në rrjete sociale dhe nëpër muret e Tiranës. Është thirrja e shkruar sot në zemrat e mbarë shqiptarëve Zgjidhja është: Rama jepe dorëheqjen”,- tha Berisha.