TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një histori tronditëse vjen nga Tajlanda, ku autoritetet kanë shpëtuar një djalë tetëvjeçar që jetonte në izolim të plotë, i braktisur në një kasolle të rrethuar nga qen. Fëmija ishte në gjendje të rënduar emocionale dhe nuk fliste, por vetëm imitonte të lehurat e kafshëve pranë tij, raportoi tabloidi britanik Mirror.
Djali u zbulua gjatë një bastisjeje të policisë në distriktin Lap Lae, ku u gjet i vetëm, pa përkujdesje dhe në kushte të mjerueshme. Nëna dhe vëllai i tij 23-vjeçar, që më herët kishin përdorur drogë sipas testimeve të autoriteteve, e kishin lënë pas dore dhe braktisur fëmijën.
Megjithëse nëna e kishte regjistruar në shkollë për të përfituar ndihmë shtetërore, djali nuk kishte ndjekur asnjë orë mësimi. Kjo ngriti dyshime dhe aktivistja për të drejtat e fëmijëve Pavina Hongsakul ngriti alarmin. “Ai nuk fliste, vetëm lehte”, deklaroi ajo, duke e përshkruar situatën si thellësisht tronditëse.
Fqinjët pohuan se nëna e djalit ishte parë shpesh duke lypur dhe kishte sjellje shqetësuese, duke bërë që banorët t’u ndalonin fëmijëve të tyre të afroheshin me të voglin. I izoluar nga njerëzit, djali kishte krijuar lidhje me qentë që e rrethonin dhe kishte filluar të imitonte sjelljen e tyre.
Më 30 qershor, në një operacion të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe policisë lokale, djali u shpëtua dhe u dërgua në një qendër për fëmijë të braktisur. Ndërkohë, dy të rriturit janë vënë nën hetim për përdorim të lëndëve narkotike.
“Djalit do t’i jepet një mundësi për një jetë më të mirë. Do të ndjekim nga afër progresin e tij dhe do të sigurohemi që të marrë çdo mbështetje që i nevojitet”, u shpreh zyrtarisht Ministria.