TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Autoritetet turke kanë arrestuar tre kryetarë bashkie të Partisë Republikane Popullore (CHP), forcës kryesore opozitare në vend, nën akuzat për korrupsion – duke rritur tensionet politike në vend pas zgjedhjeve lokale.
Në pranga kanë rënë kryebashkiaku i Adanas, Zeydan Karalar, ai i Adiyamanit, Abdurahman Tutdere, dhe kryebashkiaku i Antalyas, Muhittin Bozçek. Dy arrestimet e para u kryen nga Prokuroria e Stambollit, ndërsa hetimi ndaj Bozçek është ndjekur nga Prokuroria e Antalyas.
Gjithashtu, u arrestua edhe Ahmet Şahin, nënkryetar i bashkisë së Buyukçekmece në Stamboll, ku edhe kryetari i bashkisë ndodhet aktualisht në paraburgim.
Këto arrestime vijnë pas ndalimit të ish-kryetarit të bashkisë së Izmirit, Tunç Soyer, më 1 korrik, si pjesë e një operacioni që përfshin 157 zyrtarë të lidhur me CHP-në dhe bashkitë e drejtuara prej saj.
Kjo është vala e dytë e madhe e ndalimeve ndaj opozitës, pas arrestimit të bujshëm të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, më 19 mars – një prej figurave më të spikatura të kundërshtimit ndaj presidentit Erdogan.
Në total, drejtësia turke ka vënë në shënjestër drejtuesit e të paktën nëntë bashkive në Stamboll dhe dy të tjera në Adana, të cilët ndodhen aktualisht në paraburgim.