TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një valë e pazakontë insektesh ka pushtuar kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seulin, dhe qytetin fqinj Inçon, duke u kthyer në shqetësim serioz për banorët, pavarësisht emrit të tyre romantik.
Plecia nearctica, të njohura ndryshe si “insektet e dashurisë”, janë shfaqur masivisht javët e fundit, duke u përhapur në mënyrë shqetësuese në hapësira publike dhe zona urbane, ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten për shkak të ndryshimeve klimatike.
Ngrohja globale po i sjell drejt veriut
Këto insekte, të zakonshme në subtropikë si Kina juglindore, Tajvani, Japonia dhe shtetet jugore të SHBA-së si Florida e Teksasi, janë zbuluar për herë të parë në Korenë e Jugut në vitin 2015. Që nga viti 2022, ato janë bërë prezente në zonat portuale të Seulit dhe përreth tij.
Shkencëtarët besojnë se ngrohja globale dhe efekti urban i “ishullit të nxehtësisë” po favorizojnë përhapjen e tyre drejt veriut. Struktura të shumta betoni në qytet thithin dhe mbajnë më shumë nxehtësi, duke krijuar kushte ideale për shumëzimin e këtyre insekteve.
Çfarë i bën kaq të bezdisshme?
Edhe pse nuk pickojnë dhe nuk transmetojnë sëmundje, insektet e dashurisë janë jashtëzakonisht bezdisëse: ato ngjiten në xhamat e makinave, muret e shtëpive, restoranteve e madje edhe në trenat e metrosë. Sjellja e tyre e çiftëzimit në fluturim – kur rrinë të bashkuara për orë të tëra – është arsyeja pse kanë marrë këtë nofkë.
Si po veprohet?
Autoritetet koreane kanë nisur ndërhyrjet për të kontrolluar tufat, duke shmangur pesticidet kimike. Mënyrat e rekomanduara për banorët janë përdorimi i ujit me presion, pecetave ngjitëse, apo spërkatjeve natyrale për të larguar insektet nga zonat e banuara.