BOTA, 10 Shtator 2023, 16:49

SHBA-Vietnam, ish-armiqtë tani kërkojnë partneritet strategjik

SHBA-Vietnam, ish-armiqtë tani kërkojnë partneritet strategjik
Biden sot në Vietnam

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden nisi këtë të diel një vizitë të shkurtër në Vietnam, duke deklaruar se dy vendet kanë mundësi të ndikojnë tek e ardhmja e Indo-Paqësorit në dekadat e ardhshme.

Zoti Biden tha se gjatë vizitës së tij një ditore, shpresonte të arrihej përparim në çështje që lidhen me klimën dhe ekonominë.

“Vietnami dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerë kritikë në atë që për ne përfaqëson një periudhë kritike”, i tha zoti Biden sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Vietnamit, Nguyễn Phú Trọng, në nisje të takimit në selinë qendrore të partisë.

Zoti Trong tha se takimi përfaqësonte një “mundësi të shkëlqyer” për të zgjeruar marrëdhëniet dy palëshe. Ai falenderoi zotin Biden për ftesën e tij për të vizituar Uashingtonin së shpejti.

Në këtë takim u njoftua se Vietnami i ngriti marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin e partneritetit strategjik. Mes vendeve të tjera që Vietnami synon të njëjtin nivel marrëdhëniesh janë Kina dhe Rusia.

Ngritja e marrëdhënieve në të njëjtin nivel edhe me Shtetet e Bashkuara sugjeron se Vietnami synon të forcojë raportet ndërsa kompanitë amerikane dhe evropiane kërkojnë alternativa përveç fabrikave kineze.

Mes ngadalësimit ekonomik të Kinës dhe konsolidimit të pushtetit politik të Presidentit Xi Jinping, Presidenti Biden po shqyrton mundësistë për të afruar më shumë vende me Amerikën, përfshirë Vietnamin dhe Kamboxhian.

Tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit është rritur që nga viti 2019. Por përparimi i mëtejshëm ka kufizime që lidhen me nevojën e përmirësimeve në infrastrukturën e Vietnamit, aftësive të punëtorëve dhe qeverisjes së tij./VOA