BOTA, 9 Shtator 2023, 12:07

Tragjedia në Marok/ Shkon në mbi 800 numri i viktimave nga tërmeti me magnitudë 6.8 rihter

Tragjedia në Marok/ Shkon në mbi 800 numri i viktimave nga

Një tërmet vdekjeprurës ka goditur Marokun pak para mesnate, duke shkaktuar qindra viktima. 

Situata duket mjaft e rëndë, ndërsa bilanci i viktimave vijon të rritet. 

Të paktën 820 persona kanë ndërruar jetë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, shifër që pritet të rritet, ndërkohë që ka ende njerëz nën rrënoja. 

Tërmeti me magnitudë 6.8 të shkallës rihter, detyroi njerëzit të dilnin në rrugë në Marrakesh dhe qytete të tjera. Thuhet se shumica e vdekjeve ndodhën në zona të vështira për t'u arritur në male dhe të paktën 672 persona u plagosën.

Tërmeti goditi pas orës 23:00, ora lokale, në një thellësi relativisht të ulët prej 71km në jug-perëndim të Marrakeshit. Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesa të dëmtuara dhe rrugë me mbeturina.

Qyteti historik i Marrakeshit, është goditur rëndë. Kudo ka pamje të ndërtesave të shembura dhe njerëz të detyruar të qëndrojnë jashtë. Gjithashtu ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.