AKTUALITET, 28 October 2026, 09:54

Dyshohen se vranë 66-vjeçarin në Sarandë 5 muaj më parë, arrestohen në Greqi dy të dyshuar, njëri akuzohet si autor i krimit

Dyshohen se vranë 66-vjeçarin në Sarandë 5 muaj më

Lulzim Tabaku, 37 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes së Rexhep Ismailit, dhe Idriz Çelo, 40 vjeç, janë arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin në Shqipëri. 66-vjeçari u vra me armë zjarri më 7 maj 2026, në lokalin e tij në fshatin Gjashtë të Sarandës.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët grekë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “The Wanted”, duke arrestuar përkohësisht dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë.

Sipas hetimeve, më 7 maj 2026, pas një konflikti mes disa personave, ku u përdorën sende të forta, Lulzim Tabaku dyshohet se ka qëlluar me pistoletë ndaj Rexhep Ismailit, 66 vjeç, në ambientet e lokalit të këtij të fundit, duke i shkaktuar vdekjen.

Ndërkohë, Idriz Çelo dyshohet se është përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen. Ai akuzohet për moskallëzim krimi, kanosje dhe shkatërrim prone. Sipas policisë, Çelo përdorte identitet të rremë për të qëndruar në ishullin e Korfuzit.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Finalizohet si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me homologët grekë, një tjetër fazë e operacionit të koduar “The Wanted”.

Kapet në Greqi autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit R. I., kryer më datë 07.05.2026, në ambientet e lokalit të viktimës, në fshatin Gjashtë, Sarandë.

Kapet në Greqi edhe një shtetas i përfshirë në konfliktin me sende të forta që parapriu vrasjen e 66-vjeçarit. I ndaluari përdorte identitet të rremë, për qendrim në ishullin e Korfuzit.

Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional, ndërmjet homologëve të Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit në kërkim:

-L. T., 37 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim;

-I. Ç., 40 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Nga hetimet dyshohet se më datë 07.05.2026, 37-vjeçari ka vrarë me armë zjarri (pistoletë), shtetasin R. I., 66 vjeç, në ambientet e lokalit të këtij të fundit, pas një konflikti me sende të forta, ndërmjet disa shtetasve, ndër ta, 40-vjeçari i kapur në Korfuz.

Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë rast.

Ndërkaq, në bashkëpunim me homologët grekë, Interpol Tirana po punon për finalizimin e procedurave për ekstradimin në Shqipëri, të 2 të ndaluarve.