BOTA, 9 Shtator 2023, 16:06

Zelensky hedh poshtë mundësinë për kompromis me Putinin dhe e akuzon: Kush bën marrëveshje me të, përfundon si Prigozhin

Zelensky hedh poshtë mundësinë për kompromis me Putinin dhe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vdekja e Yevgeny Prigozhin, tregon se çfarë ndodh kur njerëzit bëjnë marrëveshje me liderin rus Vladimir Putin. Ndërsa kundërofensiva e Ukrainës kalon në muajin e katërt, Zelensky në një intervistë për CNN hodhi poshtë sugjerimet se ishte koha për të negociuar paqen me Kremlinin.

“Nëse doni të keni një kompromis ose një dialog me dikë, nuk mund ta bëni këtë me një gënjeshtar”, tha Zelensky për CNN. Sipas Zelenskyt, vdekja dramatike e liderit të Wagner, e cila pasoi një rebelim jetëshkurtër duke kërcënuar autoritetin e presidentit rus, ishte një paralajmërim për t’u marrë parasysh nga të gjithë.

“A keni parë ndonjë kompromis nga Putini për çështje të tjera? Me Gjeorgjinë? Me Moldavinë?”, pyeti Zelensky në mënyrë retorike. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë kryesorë ukrainas vazhdojnë të furnizojnë me armë Kievin dhe theksojnë se kushtet për paqe “të drejtë dhe të qëndrueshme” nuk janë krijuar ende.