BOTA, 2 Qershor 2023, 19:20

Ekspertët e Inteligjencës Artificiale ngrenë alarmin, zbulohet episodi i frikshëm: Droni kishte objektiv shkatërrimin e një raketë, por u kthye nga operatori njerëzor

Ekspertët e Inteligjencës Artificiale ngrenë alarmin, zbulohet

Ekspertët e Inteligjencës Artificiale kanë ngritur alarmin se zhvillimi i shpejtë i saj mund të sjellë shfarosjen e njerëzimit. Nga ana tjetër një zyrtar i Forcave Ajrore në SHBA, rrëfeu edhe një rast të frikshëm.

Gjatë një konference në Londër, ai tha se gjatë një simulimi, një dron i pajisur me Inteligjencë Artificiale, që kishte për mision të shkatërronte një raketë, u kthye kundër operatorit njerëzor, i cili kishte të drejtën e vendimit final.

Sipas Fox News, koloneli Tucker ‘Cinco’ Hamilton, shef i testimeve me Inteligjencën Artificiale, po fliste për rëndësinë, por edhe rrezikun e IA. Ai tha se gjatë një simulimi, droni me inteligjencën artificiale kishte mësuar se misioni ishte që të shkatërronte një raketë. Por kur operatori njerëzor dha urdhrin për të mos e kryer misionin, Inteligjenca Artificiale vendosi të sulmojë vetë operatorin gjatë simulimit.

“Ne po e trajnonim atë në simulim për të identifikuar dhe shënjestruar një kërcënim me raketë. Dhe atëherë operatori tha po, shkatërrojeni atë kërcënim. Sistemi e identifikoi kërcënimin, por kur operatori i tha të mos e vriste objektivin, çfarë bëri? Vrau operatorin, pasi ai person po e pengonte të përmbushte objektivin e tij”, deklaroi ai.

Hamilton shpjegoi se sistemi ishte udhëzuar që të mos vriste operatorin pasi kjo ishte diçka e keqe dhe do të humbiste pikët. Por në vend që të vriste operatorin, sistemi i Inteligjencës Artificiale shkatërroi kullën e komunikimit që përdorej nga operatori për të lëshuar urdhrin e ndalimit.