BOTA, 1 Qershor 2023, 19:06

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë ngre “alarmin”: Telefonat e diplomatëve tanë janë hakuar, dyshojmë se...

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë ngre

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë ka ngritur akuza se mijëra telefona, Iphone, të diplomatëve rusë janë sulmuar nga hakerë.

Në një deklaratë publike FSB-ja tha se dyshohet që hakerët kishin ndërhyrë në iPhone-ët e diplomatëve që punonin në ambasadat dhe konsullatat ruse në vendet që janë anëtare të NATO-s, ish-republikat sovjetike, si dhe në Kinë, Izrael dhe Siri.

“Informacionet e marra nga shërbimet speciale ruse tregojnë bashkëpunim të ngushtë ndërmjet kompanisë amerikane Apple me komunitetin e sigurisë kombëtare, përkatësisht me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA), dhe konfirmon se politika e deklaruar për sigurim të konfidencialitetit të të dhënave personale të përdoruesve të pajisjeve të kompanisë Apple nuk korrespondon me realitetin”, thuhet në deklaratën e FSB-së.

Apple dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së nuk e kanë komentuar ende deklaratën e FSB-së, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë se deklarata e FSB-së “meriton vëmendje”, megjithëse “ne nuk kemi autoritet” për ta kufizuar përdorimin e telefonave të tipit iPhone nga zyrtarët.