TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Me Hashim Thaçin për herë të parë u pata takuar në hotel Victory, në Prishtinë, në një pritje që e kishte organizuar Partia Demokratike e Kosovës në vitin 2005, për nder të Fatmir Limajt, kur ky ishte kthyer i pafajshëm nga një gjykim maratonik në Hagë. Limaj ishte arrestuar në vitin 2001 nga Tribunali i Krimeve për ish Jugosllavi.
Atëbotë unë kam qenë kryeredaktor i Gazetës Express dhe ditën kur do ta takoja Thaçin në atë pritje, e pata botuar një shkrim në faqen e parë të gazetës, që e kishte titullin “Në përqafimin e gjarprit”. Nofka e luftës e Thaçit kishte qenë gjarpri.
Shkrimi ishte i ilustruar me një fotografi, ku shiheshin të përqafuar Thaçi dhe Limaj. Thaçi shihej vetëm nga mbrapa. Dihej për kënd po aludoja.
Ishte një profil për Thaçin, më shumë për karakterin e tij. Në vitin 2005 për të kishte shumë më pak informata, se sa ka tash, bie fjala. Thaçi në atë kohë ka qenë më i ngurtë, më pak i artikuluar dhe më i mllefosur. Dukej kështu.
Kur Limaj u kthye nga Haga, ku qëndroi katër-pesë vjet, në mes të këtyre të dyve patën nisur plasaritjet e para. Kishte një hatërmbetje të Limajt për sjelljet e liderit të PDK-së, gjatë kohës kur ai kishte qëndruar në Hagë.
Ndonëse po punoja si gazetar tash e pesë vite, unë në atë kohë në PDK e kisha një lloj raporti vetëm me Fatmirin. Mjaft ironike, na kishte lidhur interesi për Prishtinën, sado që asnjëri nuk ishim të Prishtinës. Limaj kishte qenë figura qendrore e PDK-së në zgjedhjet për Prishtinën, kurse unë isha gazetari qendror i Zërit për të shkruar për kryeqytetin. Plus që të dytë vinim nga rajoni i njëjtë, rrethi i Malishevës. Por më e rëndësishmja, Fatmiri ndonëse ishte impulsiv, ishte mjaft i sjellshëm me gazetarët. LDK ishte arrogante dhe nuk i donte gazetarët. Meqë i fitonin zgjedhjet me lehtësi të madhe, mezi na flisnin me gojë. Na konsideronin si punëtorë inferiorë. Na quanin gazepçarë.
Nëse tregohemi zemërgjërë me fjalën shok, ndoshta unë dhe Fatmiri ishim shokë. Kur Fatmiri shkoi në Hagë, unë e shkëputa çdo komunikim me PDK-në. U deshtë të kalonin edhe disa vite, që ai të kthehej, që unë të shkelja në selinë e kësaj partie.
Kthimi i Fatmirit nga Haga u shoqërua me shumë polemika e shumë spekulime. Ai kishte plot dilema, nëse duhej të bëhej bashkë edhe njëherë me Thaçin, a të formonte një parti të tijën. Bisedonim kohë pas kohe. Unë isha në favor që ai të ndahej nga PDK-ja, sepse reputacionin pas kthimit si i pafajshëm nga Tribunali i Hagës e kishte të mirë. Nuk do t’i fitonte 20 për qind, por do të ishte pretendent për një 10 përqindsh.
Nejse, ai vendosi që të rikthehej. Edhe unë vendosa që ta shkruaja atë shkrimin “Në përqafimin e gjarprit” që Thaçit nuk i kishte pëlqyer. E dija që nuk do t’i pëlqente. Përpara se ta takoja në atë mbrëmje, Thaçi pati bërë përpjekje edhe nja dy herë të tjera që të më zgjaste dorën, por ju pata shmangur. Nuk me pëlqente karakteri i tij, shto këtu faktin që si familje kishim kujtime jo shumë të mira për luftën.
Atë natë në Victory ishin mbledhur mbi 300 burra të hunit e të konopit. A kishin qenë dy tri gra a nuk kishin qenë. Tymi i duhanit të qorronte. Ishte aq i dendur tymi, në atë kohë të gjithë pinin, sikur të kishte qenë obligim ligjor, sa nuk mund të ecje aq shpejt.
Në atë pritje për herë të parë e pashë fizikisht edhe Kadri Veselin, për të cilin nuk kishte as shumë fotografi. Ndryshe ka qenë bota në vitin 2005. Nuk kishte Facebook, Twitter, e as Instagram. Fotografi i gazetës Express kishte arritur që t’ia bënte edhe një fotografi, të cilën, të nesërmen e botuam në gazetë.
Meqë nuk me pëlqenin as Thaçi e as Veseli, gjatë gjithë mbrëmjes po u shmangesha. Në një moment, kah fundi i ndejës, derisa unë isha duke qëndruar me dy tre veta të tjerë, erdhi edhe lartmadhëria e tij Hashim Thaçi. Arrogant dhe shpërfillës. Aq drejt ecte sa mund të mendoje që e kishte përbirë ndonjë shufër të hekurit.
Ndonëse me njihte si figurë, sepse kisha filluar nxjerrë kokën nëpër studiot televizive dhe kisha filluar të shkruaja editoriale, zhanër ky i rezervuar kinse vetëm për penat me të mprehta të gazetarisë, u desh të prezantohesha. Me priti ftohtë dhe ndoshta edhe pak kërcënueshëm.
E pashë që i kishte lënë përshtypje për të keq shkrimi i botuar atë ditë. Për gazetarët gjëja më e keqe është nëse subjekti për të cilin ti ke shkruar nuk e ka lexuar fare shkrimin. E dyta më e keqja është nëse e ka lexuar dhe nuk i ka lënë përshtypje. E treta më e keqja është nëse e ka lexuar dhe i ka pëlqyer. Më e mira është kur nuk i ka pëlqyer. Kjo kishte ndodhur.
Më tha që i dukesha si gazetar i Botës Sot. Në atë kohë kjo gazetë ishte bërë penicilin për krahun e luftës. I godiste për çdo ditë të zotit, me fakte e pa fakte. Më shumë pa fakte. Për gazetarët që merreshin me hulumtime, çfarë besoja që isha unë, të të quanin “si i Botës Sot” ishte një lloj ofendimi.
Kur ai më tha ashtu, unë, paksa i emocionuar, jo i frikësuar, ia ktheva duke i thënë që nuk më bënin shumë përshtypje etiketat e tij, sepse kohë pas kohë edhe ndonjë fjalë të mirë për të e kisha thënë në studiot televizive dhe në gazetë.
“I kemi shpijat afër ne të dy”, më tha.
Sapo u përmenden shtëpitë, puna erdhi duke u komplikuar. Në zhargonin popullor, ndoshta më shumë atë fshataresk, kur dikush të thotë ‘ta di shtëpinë’, ‘i kemi shtëpitë afër’ etj., është njëfar kërcënimi. Demek unë ta di shtëpinë tënde.
Unë erdha duke u nxeh edhe pak më tepër. Meqë kishte edhe njerëz të tjetër andej pari dhe meqë e kisha pak mizën nën kapuç, m’u duk që duke ma përmendur shtëpinë, ai dëshironte ta aludonte diçka, një episod të pakëndëshëm të luftës.
“Edhe gjatë luftës i kemi pasë shpijat afër, as atëherë nuk na ke frikësu e as tash”, v’lova unë si tamli, me zërin që po më dridhej nga inati.
E pashë që u step. Nuk e priti një reagim të tillë.
Pas këtij episodi nuk kisha më çfarë të rrija ty. Dola, pothuajse, demonstrativisht. Fatmiri e vërejti që diçka nuk shkoi mirë. Erdhi pas meje deri në parking të hotel Victory’s, kurse unë isha duke turfulluar.
(Këtu më duhet të shprehë keqardhjen time për ju të dashur lexues, sepse nuk mund të jam krejtësisht transparent për një ngjarje të pakëndshme që e ka pasur familja ime gjatë kohës së luftës, ndonëse në publik qarkullojnë shumë spekulime, dorën në zemër të pavërteta. Do të vijë një moment dhe do të bëhem transparent edhe për këtë ngjarje. Mirëpo tek kjo ngjarje buronte animoziteti im me krahun e luftës)
Kur u ndava me Fatmirin shkova deri në zyrën e time që ishte shumë afër me hotelin ku po bëhej ajo pritje. Ishte e premte dhe po bëhesha gati të nisesha për në fshat për të kaluar vikendin. Tashmë më ishte cakërdisur disponimi. E dija që një ditë do të konfrontohesha me Thaçin edhe personalisht, kurse ajo ditë tashmë kishte ardhur. Po provoja të qetësohesha në zyre, kur në ndërkohë me mori në telefon Fatmiri.
“Shef, të lutna, a kishte mujtë me ardhë me pi një kafe me SHEFIN (Thaçin) se po ka nevojë me u sqaru me ty diçka. Mos ma prish, veç pesë minuta”, më tha.
Ahh. Ok, i thash, veç pesë minuta. U takuam rreth orës 22 në – ku tjetër! – Zanzibar. Ishte takimi më i ftohtë që është zhvilluar në historinë e të gjitha takimeve në Prishtinë. Tash Thaçi nuk dukej kërcënues.
“Shef (unë isha shefi), më tregoi Fatmiri që gjatë luftës e kishit pasë një problem ju shpija e jujë, deshta veç me të tregu që kurrë në jetë nuk kam dëgju për atë ngjarje, fola edhe me Kadrinë, e as ai kurrgjo nuk dike. Nuk e pata me të keq në Victory. Bile, gjatë asaj kohe për të cilën po flasim unë jam kanë në Rambuje...”, kjo ishte pak a shumë çfarë më tha. Nuk u angazhova fare në bashkëbisedim. E dëgjova, sepse më luti Fatmiri. Kur ai e përfundoi unë thjeshtë u largova, pa thënë asnjë gjë. Më kërkoi edhe falje. Me kaq u mbyll edhe kjo mbrëmje, që nuk e prisja që të pasurohej kaq shumë. Gjërat që nuk ishin thënë për 7-8 vjet, u thanë për dy tri orë.
E ndeza Volvo’n time dhe u nisa për fshat. Të premteve në veturë kur shkoja në fshat zakonisht e dëgjoja Radion Kosova e Lirë, ku fliste imami Shefqet Krasniqi. E kisha si fetish.
Sigurisht që nuk bisedova më askënd në shtëpi për këtë ngjarje. As me babën. Të nesërmen, që ishte ditë e shtune, kishte lindur një diell i ëmbël, nuk ishte as më dhëmbë, por as prej atij që të djegë. Unë po sillesha nëpër oborr duke e kryer ndonjë punë estetike, kurse baba po pinte kafe e cigare në terrasë. Aty rreth orës 11 të mëngjesit një Mercedes i zi u rras në oborr. Njeriu i fundit që prisnim të dilte prej tij ishte Hashim Thaçi. Isha gabim. Doli as më pak e as më shumë se sa vetë ai. Unë e baba u shikuam në sy, kurse baba e vërejti që kjo vizitë nuk ndodhi pikë për s’kthjellti. Baba ka qenë një person inteligjent, por shumë kokëfortë. Mirëpo nëse dikush vinte në shtëpi, unë nuk druhesha që ai do të sillej në mënyrë joadekuate kundruall disa zakoneve bazike njerëzore.
“O plak, a jeni ksajde”, tha Thaçi.
“Hajde mirë se t’pruni Zoti”, i tha baba.
“Po ulmi qitu në terrasë, se koka moti i mirë”, tha Thaçi.
“A të hyjmë brenda ma rahat”, ia priti baba.
Brenda ishte më zyrtare. Në shtëpinë tonë kurrë nuk kishte shkelur një person më i rëndësishëm se sa ky që sapo erdhi.
Pas disa sekondave të sikletshëm, ku unë e baba po shikoheshim me sy, e unë i buzëqesha lehtë, duke ia bërë me dije që të mos brengosej, sepse doja t’i thoja, kam shpjegim për këtë vizitë.
“Jo jo, po rrijmë qitu. Erdha me e pi një gotë raki të shpisë edhe me i bo do llafe me ty, se me këtë djalin tand mbramë i kena ndrru do llafe”.
U thye akulli.
Siç e donte tradita, duke e dëgjuar tonin miqësor të mysafirit, baba filloi ta mbante anën e tij. U kuptua që kjo vizitë nuk ishte armiqësore.
“Boll zor e keni në Prishtinë me këtë thí. Unë në vikend e shoh edhe boll po me del, e ju pesë ditë atje”, u angazhua baba në muhabet, duke provuar që Thaçit t’ia bënte më të lehtë ardhjen, sepse po vërehej një siklet.
Erdh rakia e kumbullës. Erdhën edhe kafet turke. Ekziston njëfar protokolli në fshat që pa marrë parasysh arsyen e ardhjes, qoftë ajo për të mirë ose për të keq, mikpritësi dhe mysafiri nuk angazhohen direkt në temën qendrore.
“A keni punu, a keni vytë a?”. Nëse është vjeshtë pyetët “a i keni qitë drutë e dimrit”. “Nëse është verë pyetët “a keni prashitë, a keni korrë?”. Etj.
Tamam atëherë kur duhej, që atmosfera të mos rëndohej më tepër me tema anësore, që të mos fillonte ndonjë heshtje e sikletshme, Thaçi filloi të fliste për atë për të cilën kishte ardhur.
I kërkoi falje babës për ngjarjen në të cilën ishte përfshirë baba gjatë luftës. I tha që përveç me Kadriun kishte biseduar edhe me Azem Sylën. I tha gjithashtu që në “radhët tona kemi pasur gjithçka dhe nuk kemi pasur kontroll, se kur kjo ngjarje kishte ndodhur kishte qenë në Rambuje”, edhe pse edhe po të kishte qenë në Kosovë zor që do të mund t’i kishte preventuar.
I tha të gjitha ato që ne si familje kishim dëshirë t’i dëgjonim dhe t’u besonim, në mënyrë që të lëviznim përpara sepse edhe ne ishim bllokuar aty.
Viktimat e kanë të nevojshme që kur të kalojnë nëpër një periudhë traumatike agresorin ta identifikojnë si një person të rëndësishëm brenda organizatës, sepse sa më i rëndësishëm agresori aq më relevant e shohin vetën. Është e kuptueshme që gishti akuzues te drejtohet tek kreu i organizatës, që së paku të jetosh me iluzionin që ti ke kaluar nëpër një periudhë të vështirë jo pse një rrugaç me uniformë kishte vendosur të të njolloste, por se t’i ke bërë dicka aq të rëndësishme dhe të drejtë, sa në një moment të caktuar je shndërruar në pengesë të patejkalueshme. Ndoshta kjo fjalia e fundit është pak e komplikuar, por ashtu ishte situata.
Thaçi qëndroi me ne nja një orë. Kur shkoi ai, ne e vazhduam edhe pak me babën. I gjithë ky zhvillim pati ndikim pozitiv te ai, por edhe tek unë. Për herë të parë dikush u përgjigj dhe këtë e bëri në mënyrë shembullore. Nuk ishte ky Thaçi i Victory’s. Ky që na vizitoi ne ishte një djalë i anës tonë, që e kishte lënë krenarinë dhe arrogancën dikund tjetër. Erdhi ta takonte dikënd që do të mund të ishte baba i tij. Dhe u soll saktësisht ashtu.
Prej atij momenti e tutje, në familjen tonë, për luftën kemi folur ndryshe. Nuk ishte më një temë tabu, që të çonte veç drejt një teme. Të shëmtuar. Tash ajo u kompletua dhe për ne u mbyll si plagë. Ndoshta.
Unë nuk e di nëse çdo viktimë e luftës e kishte pasur fatin e njëjtë me familjen tonë. Po besoj që nuk e ka pasur dhe po besoj që koha ende nuk ua ka shëruar plagët. Por gjithashtu e di edhe një gjë, jo çdo krim që kishte ndodhur gjatë luftës ka qenë krim i luftës.
Shumica e krimeve që kishin ndodhur gjatë asaj kohe kanë qenë krime që janë kryer gjatë luftës. Dikush e kishte veshur uniformën e UÇK-së në fshat pak ditë para se këtë ta kishte bërë një fqinj tjetër. Ai që e kishte veshur uniformën i pari, për një zenkë a për një inati më të vjetër, që nuk kishte kurrgjo të bënte me luftën, kishte vendosur që t’i hakmerrej tjetrit. Le ta thotë drejtësia fjalën e vet, por meqë kam parë shumë gjëra të kësaj natyre në rrethin dhe rajonin tim, po i jap vetës të drejtë që të bëj këtë interpretim.
Një fqinj i armatosur ia kishte rrënuar shtëpinë një fqiut tjetër të paarmatosur, vetëm për ta bërë më të shkurtë rrugën e tij. Një tjetër e kishte rrahur tjetrin, pse ky tjetri e kishte denoncuar në polici humbjen e deleve, të cilat ishin gjetur bash në ahurin e tij. Me fjalë të tjera, ia kishte vjedhur delet, por tash meqë ishte veshur ushtar i UÇK-së, po e rrihte të vjedhurin se kishte bashkëpunuar me armikun.
Janë të panumërta këto raste. Janë të pafundme. Në shumë rrafshe dhe në shumë dimenzione lufta ka qenë një kombinim i tragjedisë dhe komedisë. Paradite na bombardonin dhe vrisnin serbët, pasdite një rrugaç me uniformë e terrorizonte fshatin. Të besosh që kjo ka qenë e orkestruar nga ndonjë shtab i përgjithshëm është çmenduri në vetvete. A ka pasur njohuri dikush nga ai shtab për këto që kanë ndodhur? Nuk kam dyshim që edhe kanë pasur, por pyetja që shtrohet është se a kanë mundur t’i ndalin. Çdo fshat e ka pasur një Shtab të Përgjithshëm, që për rrethanat e fshatit ka qenë më i rëndësishëm se sa ai shtabi qendror. Çabiqi dhe Ceroviku janë fshatra fqinje dhe unë ju them këtu që rregullat ushtarake që vlenin në Çabiq nuk vlenin në Cerovik dhe anasjelltas.
Me këto mendime në kokë para disa ditësh po shkoja drejt qendrës së paraburgimit në Hagë, ku po mbahen në paraburgim Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Cali. Gjithashtu aty ndodhen duke e vuajtur dënimin edhe Nasim Haradinaj dhe Hysni Ngucati.
Janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim për zenkat dhe krimet që kanë ndodhur në fshatra të Kosovës, për periudhën që fola më sipër, për vitin 1998 dhe 1999.
Prokurorët, disi, kanë arritur që t’i bëjnë bashkë brenda një aktakuze të gjitha të gjeturat e 20 e kusur viteve, pjesa dërrmuese e të cilave janë trajtuar edhe në rastet e mëhershme, si në rastin e Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Rrustem Mustafes etj.
Juristët mendojnë që kjo çfarë po ndodhë në atë Tribunal është një përpjekje dëshpëruese e prokurorisë për ta provuar për t’i dhënë rrugë për herë të fundit të gjitha dështimeve të këtyre dy dekadave, përgjegjësi të cilën nuk kishte pranuar ta marrë mbi vete pararendësi i prokurorit Jack Smith, Shwendiman.
Shumë mendojnë që kjo çfarë po bëhet është ilegale. Sido që të jetë, maca ka pirë ujë dhe ata burrat që gjenden prapa atyre tri a katër dyerëve të hekurit e kanë vetëm një mundësi në dorën e tyre: ta dëshmojnë pafajësinë.
Takimi me ta ishte i çuditshëm. Me Thaçin edhe më i çuditshëm.
Unë nuk jam në gjendje që ta përshkruaj raportin tim me Hashim Thaçin me një fjali të vetme. Prej asaj natës që e pata takuar në vitin 2005 në Victory e deri te mëngjesi i të shtunës kur e takova në Hagë për njëri tjetrin kemi pasur lloj – lloj konsideratash.
Nuk kanë kaluar 200 vjet, kanë kaluar vetëm 2 prej kur ai është në Hagë, mirëpo 2 vjet në Kosovë dhe 2 në Hagë dallojnë. Kurioziteti është shumë më i madh për ta takuar dikë që e njeh tash e sa kohë, por që befasisht është zhdukur. Kurioziteti bëhet edhe më i madh për ta takuar tash atë në rrethana të pakëndshme. Një njeri që e ka dominuar vendin për dy dekada, çfarë sjellje ka me gardianët e burgut? A ka ndryshuar karakteri i tij tash kur hapësirën fizike e ka të kufizuar? A ndihet më i parëndësishëm? Si e paramendon botën dhe Kosovën përtej atyre mureve?
Do të doja të përgjigjesha për të gjithë këto pyetje, sepse bisedova me të, por, prapë, më duhet të them që për momentin kjo gjë është e palejuar.
Kur u takuam ai kishte të veshura farmerka dhe xhamper të lehtë dhe një palë këpucë sportive të zeza. Ishte thinjur përfundimisht. Kishte rënë pak në peshë, por kjo si pasojë e ushtrimeve të vazhdueshme.
Meqë prej vitit 2014 e deri në vitin 2019 raportet i kemi pasur tepër të tensionuara, të gjithë ju i kujtoni ato qindra statuse të miat kundër tij, e ato qindra shkrime të miat kundër tij, ishte një kënaqësi e veçantë kur ai ma solli një kafe.
“Kamarier, pa sheqer të lutna”, unë. Hehehehe.
Kafen e kemi pirë të shoqëruar me dy copa të mëdha të ëmbëlsirës, e cila ishte e shëndetshme. Dukej që ishte bërë me limon dhe vezë. Gjatë takimit ne biseduam për çdo gjë, por mos harroni, kur dikush është në burg, kur nuk është shumë në rrjedha, e posaçërisht kur e din që ajo bisedë është e përgjuar, biseda mund të bëhet e rëndë. Jo që ke për të thënë diçka prej të cilës frikësohesh, por sepse nuk dëshiron që për asnjë moment t’ia bësh situatën edhe më të komplikuar me ndonjë fjalë më të tepërt. Prandaj, sa herë që e shihja të vështirë për të biseduar për një temë, e pyesja se çfarë po lexonte. Më tha që fillimisht ka lexuar romane të ndryshme, por tash së fundmi është duke lexuar histori dhe biografi.
“Njeri lexon ja n’t’ri ja në pleqni”, i thash unë. Hehehehhe.
Nuk e di për çfarë arsye, por pastaj biseduam për periudhën e Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës dhe asaj plejade politike. Jo vetëm Thaçit, por sa herë që flas me dikënd për libra dhe për biografi, unë ia propozoj librin e Amos Ozit, Rrëfimi për Dashurinë dhe Errësirën si dhe autobiografinë e Shtefan Cvajgut, Bota e Djeshme.
Pastaj biseduam pak edhe për librin autobiografik te Eqrem Bej Vlorës, një prej veprave më të bukura në gjuhën shqipe.
Jo vetëm me Hashim Thaçin, unë atë ditë bisedova një kohë të gjatë edhe me Kadri Veselin, kurse shkurtimisht edhe me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin e Nasim Haradinajn.
Kur janë në liri dhe në pushtet gjëja më e lehtë është që këtyre burrave t’ua lëmosh sedrën. Është, madje, tepër oportuniste t’ua thuash në fytyrë se sa shumë kanë bërë ata për këtë vend. Tash kur janë pa pushtet, kur tash e dy vjet po mbahen, siç do të thoshte populli, në hekura, e do rendi që, nëse jo për ata vetë, për familjet e tyre, të flitet ndonjë fjalë e mirë.
Dy tri vitet e fundit në vendin tonë kanë qenë kaos i vërtetë politik. Çfarë ishte në fund doli në krye dhe çfarë ishte në krye shkoi në fund. Mirëpo faktet mbesin fakte, pa marrë parasysh se ku ndodhen ato. Dhe fakt është që krerët e UÇK-së që janë në paraburgim në Hagë kanë përgjegjësi të madhe për krijimin e këtij shteti.
Baba i jem ka vdekur para dy vitesh. Vdiq përpara se këta të shkonin në Hagë. Në prezencën time i kishte thënë një hetuesi ndërkombëtar, që po interesohej për këta që sot janë në Hagë, “do të kisha besuar që e keni seriozisht, sikur të më kishit ftuar në vitin 2000, a në vitin 2001..., por në vitin 2020? Jo faleminderit. Këtë nuk po e bëni për ne, por për vete, kjo nuk është drejtësi, kjo është politike”.