BLOG, 27 Tetor 2022, 17:43

Gara për Tiranën, në letër dhe në frymë

Gara për Tiranën, në letër dhe në frymë

Sot kemi një panoramë më të qartë të garës për Bashkinë Tiranë.

Dhe fakti që ka kaq shumë interes, flitet kaq shumë për të, është meritë e opozitës, e cila, këtë herë jo vetëm që duket serioze dhe e vërtetë, por tregon se ka synime të qarta. Jo siç ka qenë në këto dhjetë vite që diktatin e diskursit publik e ka përcaktuar gjithmonë pushteti i rilindjes.

Tani kemi një balancim të diskurit dhe diktatit publik, dhe kjo, për të qenë të drejtë është meritë e Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Kthehemi te Tirana.

Vazhdoj të kem qëndrimin se kandidati i opozitës në Tiranë duhet të jetë detyrimisht politik, për disa faktorë që do t’i rendis si më poshtë.

Kjo garë, thuajse si asnjëherë më parë, nuk është garë thjesht lokale, është përballje me një regjim në kuptimin e plotë të fjalës.

Një regjim që zotëron mjete ekonomike të pa kufijshme, që zotëron pushtet qëndror dhe lokal po ashtu të pa kufijshëm, ka diktat të plotë mbi sistemin e drejtësisë, si rrjedhojë zotëron dhe dikton edhe të gjitha mjetet e komunikimit publik dhe propagandës.

Gara për Bashkinë Tiranë, ashtu siç e lexoj unë është; në letër dukshëm në favor të pushtetit, në frymë dukshëm në favor të opozitës.

Thënë këtë, vetëm një qënie politike mund të arrijë të harmonizojë, kapitalizojë dhe ta përkthejë frymën e madhe që ekziston në popull në votë në favor të opozitës.

E fundit pse jam kundër një figure jo politike; kam bindjen se dëshira më e madhe e Veliajt dhe pushtetit është që të ketë rival një figurë jo politike.

Madje e kërkon me ngulm këtë sepse me një figurë të tillë, me mjetet e tyre të propagandës e gjithçka tjetër disponojnë do ta mundin dhe në fund do të kemi edhe një narrativë të Veliajt, të ndërtuar si pa kuptuar, të tipit, -Unë pata kandidatin më të “mirë” të opozitës përballë dhe e munda, pra, unë jam më i mirë i të mirëve.

E kështu hegjemonia e të keqes do të vazhdojë për kushedi sa kohë në këtë vend.