BLOG, 2 Nëntor 2022, 08:46

Historia tragjike e ish-oficerit të Sigurimit nga Shkodra: Pjerini mbështeti kokën te gjoksi i vajzës dhe i tha; due me u rrëfye me ty, mos fol, mos më ndërprit! Unë me dy shokë kemi…

Historia tragjike e ish-oficerit të Sigurimit nga Shkodra: Pjerini

Memorie.al/ Gjon Mark Ndoj lindi në Orosh të Mirditës, në vitin 1928. Shkollën e mesme e vazhdoi në gjimnazin e Shkodrës. Arrestohet më 14 qershor të vitit 1946, i akuzuar si “kundërshtar i pushtetit popullor”, kur shërbente si mësues në Rrëshen. Pas disa muajsh hetuesi ku u torturua në mënyrë çnjerëzore, u dënua me 17 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti kryesisht në burgun e Burrelit. Gjatë kësaj periudhe, Gjon Mark Ndoi, shkruajti tregime e poezi si dhe një poemë poetike. Fatkeqësisht kjo krijimtari nuk e pa dritën e botimit mbasi, dorëshkrimet iu sekuestruan gjatë kontrolleve të shpeshta në burgun e Burrelit, por ato mundën t’i lexonin bashkëvuajtësit e asaj kohe, si: Gjergj Kokoshi, Arshi Pipa, At Pjetër Meshkalla etj. Ai ka botuar librat me tregime e novela, si “Kardinal Ahuni” dhe “Ndëshkimi i pafajësisë”.

…Dielli kishte perëndue matanë Taraboshit. Nga jugu në rranzë të tij, Fabrika e Çimentos lëshonte fjolla tymi e liqeni me siprinë të ndritshme valëzonte lehtë lehtë, t’ue shkaktue një shushurimë si fshamje pak lodhëse, por kënaqësie.

Dukej se shpirti po i udhëhiqte dhe i drejtonte se, pa fol e shpreh mendim, ata kishin ardhë deri aty në një mendje dhe dëshirë. Si me çudi, ata shikuan në sy njëri-tjetrin. Dhe ai vështrim i ndolli, i joshi e mandej i thithi, t’ue e ndie vetin të nji njisuem.

Ma i dobët në këtë çast se i lodhun, Pjerinit i’u var kryet dhe u mbështet në gjoks të vajzës. Pati një të përqethun a reagim të pakontrolluem, por kryet pushonte në gjoks pa dhanë tjetër shenj a gjallni pas frymëmarrjes, jo të shpeshtë por të mekët e të pakët. Bina, due me u rrëfye me ty.

Ndëgjom, mos më ndërprit… mos më fol…! Ky zë i ngjante asaj se asht i Pjerinit, por i’u duk i largët si të ishte një shëmbëlltyrë e tij. Kam ba një punë të keqe…jo se e bana…por u përdora…si vegël e mjet që ata mendojshin, dhe patën të drejtë se asht i përshtatshëm për ta përmbushë. Dhe e bana.Zani dhe shprehjet tash nuk iu ndërprenë si një duf që nuk përmbahet…! Unë me dy shokë, të urdhnuem, i futëm armët nën lter. Pushoi një çast… fretnit nuk kanë ditë asgja, s’kanë faj as gisht në këtë punë. Jo se më dhimben, por ajo që ngjau qe tepri. Albina ishte ba dru. A mund të bënte një kob kësisoj njeri?! Pjerini, Pjerini i saj!

Ai largoi kryet me vrull e me një za që dridhej nga zemërimi, por askujt mos i’a thuaj, kjo me han kryet. Kryet, përsëritja e kësaj fjale u përcuell me një qeshje të keqe. Pa fol ma, ata u çuan dhe u kthyen.

Pa fol, ata ecën pothuaj mekanikisht. Muzgu po binte. Dritat ishin ndezë në pazar. Konturet e kalasë dukeshin si një vizatim jo i qartë. Për në qytet po ktheheshin njerëzit e pakët prej pazarit.

Kur dolën në xhade, po afrohej një pajton bosh. Pjerini e ndali dhe hipën. Patkonjtë tingëllojshin në asfaIt me një ritëm të barabartë, ndjellës, ëndërrimtar, paqtues. I zhytun në një shpirt nga një mall fëminije, u mbështet në krah të Albinës. Peshë e rëndë ju duk asaj.

Por karroca i përkundte lehtë, patkonjtë që në qetësinë e natës që po shtrihej anekënd zbutës krak-kruk-krakkruk, qindra drita që vezullojshin në qytet e në qiell yjet, vetëm të ndritshmit dalloheshin.

Mund të ishte afër orës 4 të mbasdites, kur trokiti dikush në derë. Pina, tue mendue se ishte Pjerini, nuk e ndërpreu punën që kishte nëpër duar. Dera ra përsëri. Këto nuk ishin trokitjet e Pjerinit, as të Vikut.

Tashti me ngut doli dhe çeli derën. Një burë i panjohur u largue një hap mbrapa si me dhanë me kuptue se nuk donte të hynte brenda dhe pa për sendet e pyeti: a asht shtëpia e Pjerin Kinit kjo? Pina pohoi me krye.

Me vështrimin kah rrugica ai tha: – Vij prej Seksionit të Mbrojtjes, me të thanë mos e prit Pjerinin. – Pse, çka i ka ndodhur? – e ndërpreu ajo. – Asgja, asgja, por ka shkue me shërbim e mund të mos kthehet për tre – katër ditë. Tre – katër ditë… mezi shqiptoi nana.Por pa e zgjatë ma tepër i huaji sa mezi e dëgjoi ajo, tha lamtumirë. Nuk ishte se Pjerini ishte me shërbim, por druhej se familja e shqetësueme për mungesën e tij do të alarmonte; e ata kishin nevojë për një javë, s’paku, të mos dihej asgjë.

Një urdhën shumë sekret kishte ardhë në adresë vetëm të kryetarit e nënkryetarit për, të ba arrestimin e Pjerinit me dy ndihmësat që kishin kryer operacionin. Assesi të mos përmendet arsyeja, madje as të dyshohet. Thjesht së pari për masë disiplinore, një gabim i shpifun, mandej, gradualisht, masa ma të forta e veprime të kujdesshme.

Mbi të gjitha porosia: asnjëni të mos dinte për shoqin e të izoloheshin në vende të ndryshme, në pamundësi komunikimi. I ndanë ashtu, se Shkodra kishte mjaft burgje atëherë, i izoluan, tue dhanë ndonjë shkak sa me përligj arrestimin.

Kujdesi kryesor i ishte kushtue Pjerinit. Mbas pesë ditëve në këtë gjendje të paqartë, ku megjithëse jo të metë e të pa aftësi përfytyruese, asnjëri nuk po kuptonte gjendjen dhe shkakun e vërtetë se pse i kishin izolue. Por nëse pritshin tash e parë se do t’u hapnin derën e t’i lanë të lirë, masat po ashpërsoheshin dhe sjellja ndaj tyre po rëndohesh.

Tue shikue rrethanën secili në mënyrë të vet, e patën të vështirë me i’u afrue së vërtetës. Pos kësaj, Pjerini e shtrinte rrezen e dyshimit ma hapët, ma theIlë, dhe një zemërim jo vetëm të natyrës së tij, por dhe të arsytuem, po i errësonte mendimet.

Ç’kishte ba? Ose si inteligjent e porsa i njohun me veprimet e Sigurimit, se ende ishte rishtar (rreth 5-6 muaj në Sigurim) e quante ma me vend me pyetë mendjen e tij se çka dojshin me ba. Asgjë nuk kishte ba që t’i binte ndesh detyrës, por këtë “asgjë” e dronte ma tepër se mund të kthehej në “shumëgja” ose “gjithçka”.

Në këmbënguljen e tij, të kërkesës se pse ishte marrë kjo masë, i ishte thanë: ke shkel sekretin shtetëror. Duke mos i thanë se ke nxjerrë sekretin, që ky përbënte faj, ky pa përcaktim e mjegullonte kuptimin ose hamendësimin. Duke rrëmue me durim e këmbëngulje, nxorën ndonjë send e të prumë që mund të shkaktonte vërejtje a qortim, por assesi faj e ndëshkim.Këto i lidhën ashtu si dijshin ata, në mes të treve e përfundonte në punë e veprim, që duhej përgjigj për të. Pjerini duket se nuhati diçka, pra iu shtrue pritjes, se dikund do të dilte kjo lojë.

Rreth dhjetë ditë u deshën me thurë e end një fajësi, të mbledhuna e të lidhuna në një bosht: veprimtari herë të buta, lëshim armikut e ndonjëherë tej urdhrit në ashpërsi, pa nevojë. Ishte një mish-mash lidhjesh e ndërthurjesh të rëndomta, që ishin zmadhue si faje të mëdha. Lini e Gjovalini, dy nënoficerë, kishin qenë ma tepër në aksione, fushata arrestimesh e vrojtues.

Hetues nuk kishin qenë asnjëherë e duke u gjetë vetë nën presionin e tyre të vazhdueshëm, për mbi një javë, ishin shushatë e nuk dijshin me dallue në procese që u formuan se ishin fajtorë, por në ç’masë e të kryeme me vetëdije, si, pse e të tjera shqyrtime, këto as nuk merreshin parasysh, as nuk i vlejshin synimit të qëllimit.

Nga ora nandë e nadjes kishin ardhë tre – katër oficerë prej Tirane, me në krye një civil. Fjalë pak ai, me praninë që qarkullonte si hije, në zyrat kryesore detyroi një rregull e lëvizje të matuna, mbi të gjitha nëse jo heshtje, biseda, urdhra e zane të kujdesshme.

Ky civil i’u vue punës me i dhanë dorën e fundit mbylljes së lojës që kishte qenë shqetësim përmbi 10 ditë. – Keni pyet efektivin e seksionit, kolegët, njerëzit që kanë shërbye e punue me ta, herë mbas here? – Komandati i Seksionit, që iu ba kjo pyetje, u gjegj me; jooo të gjatë.

– Ta lamë tashti, u çue në këmbë dhe filloi të ecë në zyrë me kthesa të shkurta, sepse zyra ishte e ngushtë. Tjetri doli dhe mbas pak u kthye me një civil. Jam operativ, u prezantue ai. Civili e shikoi drejt në sy, ku ndeshi një guxim në matje. Atij nuk i kujtohej ndonjë gjest, fjalë a veprim i fajshëm.

– Mund të shkosh – urdhëroi civili, thuej tjetrit. Dhe kështu vijoi me të gjithë nëpunësit, oficerët që ndodheshin aty në komandë. Ndërsa ata po rrëmojshin me gjetë ndonjë fakt a provë që edhe se i përftuem a i shpifun kishin gjasim të besueshëm, por larg qëllimit që dojshin me pëmbushë, i ndërpreu trokitja në derë.Mbasi kryetari tha një “hyr” të zakonshëm, hyni një aspirant i cili mbasi mbylli derën e tue pa civilin, iu ngath goja me folë për atë që kishte ardhë me i thanë Kryetarit. Civili në ethet e punës ndërhyni: shok a ke ndonjë të dhanë, kompromentim për të tre të arrestuemit, efektivë të seksionit tuej? Aspiranti mbeti një çast i befasuem nga kjo ndërhymje që as nuk e priste, nuk ishte pregatitë.

– Po unë diçka kam thanë për Pjerinin….!

Tue i dhanë zemër civili: – Dhe Pjerini ka tregue në një rast butësi për një anmik. Folte tue shikue herë njënin herë tjetrin dhe fytyra e tij jo tërhjekëse shprehte pasiguri e droje. Dhe… përsëriti civili. Këtë radhë ndërhyni kryetari: mendoj se nuk i vlente rasti, ishte fjala se ai në një rast ka ndërhy me i zbutë…!

Tue pushue pak, shtoi: madje tue e lirue nga masa shtërnguese (nuk tha tortura) një klerik, por jo nga ata kryesorët, me pretekstin se ai gëzon respekt, si i virtytshëm. Tue u sjellë kah aspiranti e pyeti: – Si e ka emnin? – Fra Anton, iu përgjigj ai dhe sa filloi me dhanë hollësi, civili e ndërpreu:

– S’na duhen hollësi. Le të shënohet aty ku kërkohet. E, nën za, kryetarit: Në gjygj, asgja në lidhje me ata. Ishte fjala për Klerin.

Salla, që ishte zgjedhë për të zhvillue gjyqin, ishte në katin e parë të ishkolegjit të xhakojve, ku ishte vendos Seksioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kishte shërbye si mensë dhe sallë shfaqjesh ose mbledhjesh. Tri dritaret e vetme, që ishin në një anë, nuk po e ndriçojshin sa duhet vendin, sepse drita vinte e mangët e se qielli ishte i vranët.

Kishin zanë vend njerëzit që ishin ftue për të marrë pjesë, gratë e oficerëve të efektivit të seksionit e nga fundi tre – katër gra të familjeve të të burgosurve. Kureshtja ishte e fortë e kjo e kishte mpakë bisedën. Gjithsesi, një pëshpëritje, si fluturim i një grenze, thente heshtjen.Pati një lëvizje, kur prunë të tre të burgosurit me i pa, por vetëm një çast se tue i ulë në bankën e parë, të rrethuem prej ushtarëve, vështrimi e kishte të vështirë me dallue me hollësi. Pjerini, në mes dy ushtarakëve të rij e të fortë, ishte në krye, i veçuem prej dy shokëve të tij.

Disa sekonda, sa patën kohë me i ulë në vendin e tyne të burgosurit, hynë tre – katër oficerë, trupi gjykues. Njerëzit u çuan në kambë, e porsa zunë vend në krye të sallës gjykatësit, u ulën pa zhurmë.

Filloi procedura e zakonshme. Shumë fjalë, pjesa ma e madhe ose nuk i kuptoi ose nuk i shkoqte e lidhte, sepse ishin pyetje të shkurtëra e përgjigjet po ashtu, e shumta me za të ulët. Ata që ishin kah fundi, edhe pse ndëgjojshin ndonjë fjalë a shprehje, nuk mund ta lidhshin me nxjerrë një mendim jo të tyne, por çka u tha.

Dukej se nxitoheshin me përjashtue zhvillimin që u ishte dashtë, si formalitet. Prokurori ngrihej herë mbas here, tue ndërhy me i pre fjalën ose sulmue Pjerinin. Kryesisht emni i tij lakohej e sulmohej. Por kjo e shqetësoi Kryetarin e Seksionit se, si mendoi ai, po “ngucshin grenzat me krane” e, kjo ishte në dam të farsës.

Mirpo tashti nuk i kishte në dorë as me i frenue, as me i zbutë. Procesi ndiqte rrjedhën e vet. Dëshmitarët – thirri kryetari. Përsëri bluente me vete kryetari i Seksionit, kjo në rendin e vet veçse e damshme dhe acaruese.

Po folte aspiranti që akuzonte Pjerinin për butësi e komprometim me armikun, si ishte ai kleriku, pra Fra Antoni, që jo vetëm se i hoqi vuejtjen e ndëshkimit, se ishte zanë tue ndihmue shokët e vet armiqtë, por edhe e liroi.

Kryetari po hante veten me e ndërpre këtë rrethanë e, ajo që i druhej, rrezikonte me ndodhë. Po përgjigjej Pjerini: – Askush nuk mund të vinte dorë e të ndëshkonte atë njeri. Jo vetëm se ai kurrë në jetën e tij nuk ka ba keq, por njihet prej shkodranëve si i mirë e mirësia vetë.

I erdhi pak zemra Kryetarit. Ndërhyni Prokurori me fjalë e sulme të ashpra, e qe vonë kur i bani me shenj kryetari që ta ndërpriste. Pjerini u çue. Ishte i zbehtë dhe flegrat e hundës i dridheshin. Çoi dorën me fshi bulëzat e djersës e në ballë ngadalë, por me një za të qartë e bukur të naltë:– Ajo butësi, që thoni se kam tregue, asht një pikë në detin e të zezave që i kam ba klerit, e kam fjalën për Fretnit e Kuvendit të Gjuhadolit. Trupi gjykues, salla heshtte në ndëgjim.

Armët që u zbuluen në kishë nuk ishin vu e mëshehë prej fretënve, si u deklarue e po ndëshkohen për këtë shkak, por i kam futë unë e ai rrahu gjoksin me dorën e djathtë, me ndihmën e këtyne shokëve, tinëz edhe nga efektivi i Seksionit, pas kryetarit e nënkryetarit e trekatër njerëzve që kishin ardhë nga Ministria e Brendshme.