BLOG, 2 Nëntor 2022, 09:52

Si mund të pengohet anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO?

Si mund të pengohet anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës

Cilat pengesa mund të ngadalësojnë pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO? Dhe, a është Brukseli më afër ndëshkimit të vendeve të treta që e ndihmojnë Rusinë?Turqia dhe Hungaria janë dy vendet që nuk i kanë votuar ende këto protokolle.

Por, duket se ka një lëvizje në Ankara dhe Budapest. Sipas zyrtarëve hungarezë, Parlamenti duhet të votojë për këtë çështje në fund të nëntorit dhe ta përfundojë procesin para Krishtlindjeve.

Sa i përket Turqisë, deri më tani ajo ka zgjedhur të shohë se si Finlanda dhe, e sidomos Suedia, do ta zbatojnë pjesën e mbetur të memorandumit trepalësh të nënshkruar në muajin qershor në Madrid.

Prapavijë: Gjëja tek e cila duhet të kemi vëmendje këtë javë është udhëtimi i mundshëm i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Ankara.Ankaraja po vëzhgon se sa shpejt po i zbaton Suedia dispozitat nga memorandumi i qershorit.

Qeveria e mëhershme suedeze ka qenë e shpejtë në përmbushjen e disa zotimeve.

Një embargo e vitit 2019 për armët ndaj Ankarasë është hequr shpejt dhe ka pasur lëvizje në bllokimin e financave të grupeve kurde në Siri.

Mirëpo, këto kanë qenë përparime të lehta.

Pyetja reale është si do të përballet Qeveria suedeze me shtypjen e Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK) dhe si do t’i ekstradojë personat që Turqia i konsideron “terroristë”.

Si Finlanda, ashtu edhe Suedia e konsiderojnë PKK-në si organizatë terroriste, mirëpo në memorandum ato janë zotuar “për të parandaluar aktivitetet e PKK-së dhe të gjitha organizatave terroriste dhe shtrirjen e tyre, si dhe aktivitetet e individëve e grupeve që janë të inspiruara apo të lidhura me këto organizata terroriste”.

Fokusi kryesor ka qenë kryesisht në Suedi – vend me rreth 100.000 persona me origjinë kurde.

Analizimi i çështjes: Ekstradimet do të jenë testi i vërtetë për Suedinë. Deri më tani janë miratuar dy kërkesa për ekstradim, por ende është e paqartë se sa të tjera kërkon Ankaraja.

Numrat që qarkullojnë nëpër media shkojnë në mes të 18 dhe 73, mirëpo zyrtarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë besojnë se Turqia është e interesuar më së shumti në gatishmërinë e suedezëve që të merren me këto kërkesa dhe të mos i fusin menjëherë në sirtarë.Qeveria e re suedeze, e formuar në mes të tetorit, mund ta ketë më të lehtë se paraardhësja e saj të merret me Ankaranë për disa arsye.

Partia në pushtet, si dhe dy partneret e koalicionit, janë të gjitha pro-NATO-s, diçka që nuk ka ekzistuar në përbërjen e kaluar qeveritare.

Ai mund ta ketë më të lehtë që të përballet me ekstradimet, duke marrë parasysh faktin se zgjedhjet kanë përfunduar se dhe kurdët suedezë tradicionalisht nuk kanë qenë bazë shumë e rëndësishme e votave për të.

Kjo edhe për faktin se ulëse në Parlament nuk ka fituar as Amineh Kakabaveh – kurde e lindur në Iran, e cila në Qeverinë e kaluar ka qenë deputete e pavarur.Demokratët suedezë kanë ndryshuar pozicionin e tyre ndaj NATO-s dhe tani janë në favor të anëtarësimit, por retorika kundër emigracionit dhe kundër islamit mund të krijojnë tensione të mëtejshme me Ankaranë.

Kur mund të anëtarësohen Suedia dhe Finlanda në NATO? Diplomatët janë pothuajse të bindur se dy vendet nordike do të jenë anëtare të reja të NATO-s, nga fundi i vitit 2022 apo në fillim të vitit 2023.

Vlen, gjithashtu, të thuhet se Erdogani do të testohet në zgjedhjet presidenciale që mbahen në qershor të vitit të ardhshëm, derisa finlandezët do të shkojnë në zgjedhje në fillim të muajit prill.

Sipas diplomatëve të BE-së, të cilët e njohin këtë çështje, ka një vullnet për ta zgjidhur këtë çështje shumë përpara kësaj periudhe.

Çfarë do të ndodhë me sanksionet e BE-së?

Çfarë duhet të dini: Në paketën e fundit të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, të miratuar nga Bashkimi Evropian në fillim të këtij muaji, blloku hapi mundësinë e synimit të individëve dhe kompanive në vendet e treta për të ndihmuar entitetet e BE-së të anashkalojnë masat kufizuese të vendosura ndaj Kremlinit.

Ky mund të bëhet një mjet i rëndësishëm për t’u përdorur kundër vendeve në fqinjësi të bllokut dhe do të ishte gjithashtu një kthesë e rëndësishme për BE-në.

Pasi me vite ka kritikuar SHBA-në për aplikimin dhe kërcënimin me sanksione dytësore, Brukseli tani duket se po lëviz në të njëjtin drejtim, me qëllim që t’ia vështirësojë ekonomisë ruse financimin e luftës në Ukrainë.Prapavijë: Edhe pse Brukseli po afrohet më shumë drejt asaj që njihet si jashtëterritorialiteti i sanksioneve, ka ende kufizime. Masa zbatohet në mënyrë të barabartë, si për aktorët e BE-së, ashtu edhe për ata jashtë BE-së. Një gjë e rëndësishme këtu është lidhja me BE-në, pasi masa vlen vetëm për të ndëshkuar njerëz ose subjekte që i ndihmojnë personat e BE-së t’i thyejnë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Por, ka dallime nëse krahasohet me politikën amerikane. Si fillim, BE-ja do ta ndëshkojë kompaninë ose personin me ndalesë vizash dhe ngrirje të aseteve, ndërsa Uashingtoni mund ta përjashtojë tërësisht subjektin e sanksionuar nga sistemi i tij financiar.

Megjithatë, çështja kryesore është nëse kjo politikë do të zbatohet fare. Shtetet e Bashkuara, deri më tani, janë përmbajtur nga përdorimi i sanksioneve dytësore sa u përket marrëdhënieve të vendeve të treta me Rusinë.

Analizimi i çështjes: Diplomatët e BE-së, me të cilët foli REL-i, thanë në kushte anonimiteti se masa për zgjerimin e fushëveprimit të sanksioneve duhet të lexohet kryesisht si “taktikë frikësuese”, në mënyrë që vendet e treta të detyrohen të fillojnë harmonizimin me sanksionet e BE-së.

Disa vende, veçanërisht vendet kandidate për anëtarësim në BE, si Serbia dhe Turqia, kanë dështuar të veprojnë në përputhje me politikat sanksionuese të BE-së.Brukseli ngurron t’i godasë vendet në fqinjësinë e tij, veçanërisht vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE, pasi nuk dëshiron të bëjë asgjë që mund të shihet si largim i tyre nga BE-ja.

Kapaciteti diplomatik është një tjetër pengesë e mundshme.

Paketat e provave duhet të përgatiten nga shtetet anëtare dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe ata tashmë po punojnë jashtë orarit për të gjetur baza të arsyeshme ligjore, për t’i shënjestruar industritë ruse.

Shqyrtimi i marrëdhënieve me vendet e treta mund të mos jetë gjithmonë prioritet. Në shumë mënyra, Brukselit i mungon versioni i tij i Zyrës së SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), e cila i administron dhe zbaton sanksionet amerikane.

Edhe nëse përgatiten paketat e provave, ato do të përballen me sfida të mundshme në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Edhe këtu, Uashingtoni duket se ka një strukturë më të lehtë, sepse, siç ka thënë një diplomat i lartë i BE-së, “BE-ja është përgjegjëse ndaj Gjykatës Evropiane të Drejtësisë; SHBA-ja është përgjegjëse vetëm para Zotit”.Por, nëse të gjitha pjesët bien në vend dhe BE-ja i përdor këto masa kundër aktorëve të vendeve të treta në një moment në të ardhmen, kë do ta shënjestrojnë ato? Kanë qenë Qiproja dhe Greqia që dyshohet se kanë shtyrë bllokun të shkojë drejt jashtëterritorialitetit… dhe kjo përkthehet në Turqi.

A do të thotë kjo se Turqia mund të jetë në pikëpyetje?

Në një dokument të rrjedhur të Komisionit Evropian, i cili vlerëson ndikimin e sanksioneve të BE-së deri më tani, Turqia, së bashku me Kinën, përmenden gjithashtu në një nënkapitull. Aty thuhet se “vlera e eksporteve të Turqisë në Rusi gati është dyfishuar që nga tremujori i dytë (i vitit 2022)”. Po ashtu thuhet se “eksportet e disa shteteve anëtare në Turqi janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2022”.Çka pritet të ndodhë këtë javë?
Kjo javë do të jetë më me pak zhvillime për shkak të festës së të Gjithë Shenjtorëve më 1 nëntor, e shënuar në disa pjesë të Evropës. Megjithatë, ka dy takime në Gjermani.

Më 3 nëntor, liderët e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të jenë në Berlin për të nënshkruar tri marrëveshje.

Një nga këto marrëveshje u mundëson njerëzve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të përdorin vetëm letërnjoftimet për të udhëtuar përtej kufijve të tyre. Dy marrëveshjet e tjera do të sigurojnë njohje reciproke të diplomave universitare, si dhe kualifikimeve profesionale.Dhe më 3 dhe 4 nëntor, ministrat e jashtëm të G7-s do të mblidhen në qytetin gjerman të Munsterit. Bisedimet do të fokusohen kryesisht për Ukrainën, përfshirë diskutimet për më shumë sanksione, ndihmë financiare dhe dërgesa të armëve.

Dalëngadalë po i afrohemi fundit të vitit dhe kjo zakonisht do të thotë se është koha e samitit një në Bruksel.

Në samitin e BE-së të planifikuar për 14 dhjetor diplomatët po punojnë tashmë për një draft deklaratë të liderëve për takimin./REL