TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Memorie.al/ Arjan Puto lindi në qytetin e Gjirokastrës, më 5 korrik 1935. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Korçë, ku familja e tij u shpërngul mbas pushkatimit të babait, Hazbi Puto, në vitin 1947, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve”, pasi u mbajt për disa muaj nën tortura në Burgun e Kalasë së Gjirokastrës.
Si djalë i një të pushkatuari, atij iu ndalua e drejta për të vazhduar studimet e larta dhe vetëm në në vitin 1960, ai vazhdoi Fakultetin e Shkencave të Natyrës (dega Biologji) pa shkëputje nga puna. Pas kësaj, për afro 30 vjet punoi si korrektor letrar i teksteve shkollore në Stabilimentin “Mihal Duri” në Tiranë. Pas përmbysjes së komunizmit në fillimin e viteve ’90-të, ai ka botuar shumë artikuj dhe tregime në shtypin e kohës. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim, bën fjalë mbi arrestimin dhe pushkatimin e babait të tij, Hazbi Puto, në Burgun e Kalasë së Gjirokastrës në vitin 1947.E mërkurë 11 qershor 1947. Një oficer i Degës së Brendshme ia behu te porta e shtëpisë. U tmerruam, por edhe shpresuam: mos vallë erdhi përgjigjja, për falje jete babait?! Jo, ai kërkoi një nga pjesëtarët e familjes, të shkonte me të. Më takoi mua, (atëherë 12 vjeç), të eci pas tij.
Babai jetonte orët e agonisë së tmerrshme, në qelinë e vdekjes. Ai priste zbatimin e vendimit, dhënë një muaj më parë.
Ngjitëm shkallët e gurta dhe më në fund, arritëm në një si ndarje dhome ku rrinte oficeri i rojës. Pas pak, nga një korridor i ngushtë, tepër i errët, shtyhej drejt meje një qenie e shfytyruar. Shtanga! Ky ishte babai im, Hazbi Puto, dënuar me vdekje, nga një “gjyq populli”, i akuzuar si agjent i anglo-amerikanëve.
Një vit tortura, i kishin ndërruar atij formë e ngjyrë. Në pjesët e dukshme të trupit, pashë gjurmë e shenja plagësh. Para syve më dolën përsëri ndërresat e gjakosura që merrnin çdo të shtunë. Në këmbë, në vend të këpucëve, mbante një palë nallane.
Në atë mjedis rrëqethës, tepër të frikshëm, ai gjeti kohë e më pyeti për të gjithë. Pa guxuar ta shoh drejt fytyrën e tij të përlotur e buzëshkrumb, me kokë mbështetur në gjoksin e tij, i’u përgjigja pyetjeve me gjysma fjalësh.
Për një çast e munda veten e i thashë: “Do të vish në shtëpi, mes nesh, nuk ke asnjë faj, ne kemi bërë lutje…”! Përgjigja ishte goditëse për mua: “Jo, nuk do t’ju shoh më…” dhe lotët e shpirtit të lënduar lagën shpejt kokën time.Pas 5-7 minutash, papritur, takimin tonë fjalë pak e lot shumë, të dhimbshëm e të përmallshëm, e ndërpreu oficeri i pranishëm. Krahët e tij më shkëputën me forcë nga trupi i sfilitur i babait.
Koha harron e mjegullon shumë fatkeqësi, por jo ato që vrasin shpirtin e mendjen e një fëmije.
Duke zbritur shkallët e gurta të kalasë, u përballa me shefin e Degës së Brendshme (shefin e torturave). I’u shmanga asaj fytyre të urryer, por nuk munda. Daljen time ai e ndoqi me sy. Në rrugë eca si munda e ku munda dhe i përlotur arrita në shtëpi. I tronditur dhe i përmalluar, jetoja ende me përqafimet, me erën e trupit të tij dhe mbi të gjitha, me atë skenë vrasjeje shpirti që jetova.
Agimin e së nesërmes e prita në dritare. Diku, nga pullazi i shtëpisë, dëgjova zërin vajtimtar të qyqes. Nga ato që kisha dëgjuar për këtë shpend ndjellëkeqës, më shkonin nëpër mend lloj-lloj mendimesh. Si ra mirë dita, bashkë me motrën, morëm rrugën e Burgut të Kalasë. Ajo mbante në duar një enë të vogël me qumësht, ndërsa unë paketat e cigareve.
Si arritëm, oficeri i rojës me një buzëqeshje cinike, na tha: “Ç’kërkoni? Babai juaj s’është më këtu”. Filluam të përlotemi dhe të hutuar u kthyem mbrapsht. Këmbët na çuan përsëri në shtëpi. U mbylla në një dhomë e rashë përmbys në shtrat. Qava i heshtur deri sa ndjeva, që jastëku ish bërë për t’u shtrydhur nga lotët.
Afër drekës, një i afërt i familjes, i thyer në moshë, na erdhi në shtëpi. Përqafoi gjyshen, nënën tonë ende të re, e pastaj me radhë të gjithë pjesëtarët e familjes sonë të madhe patriarkale. Ai, duke iu marrë goja, shqiptoi atë lajm të kobshëm; babai nuk jetonte më, e kishin pushkatuar mbrëmë…!
Filluan vajet e të qarat. Çatia jonë mblodhi atë ditë dhimbjet e nënës, që mbeti pa djalë, të gruas pa burrë e të fëmijëve, ende të parritur, pa baba. Frika u kish hyrë njerëzve në palcë e ngurronin të vinin për ngushëllim njëherazi.
Në raste të tilla vdekjesh, Enveri (emër tmerri) prishi dhe zakonet tradicionale të popullit. Lufta e klasave, që i ngjante një persekucioni të egër racial, depërtonte si murtajë nga jeta personale, në atë familjare e pastaj më gjerë në rrethin farefisnor.
Kërkesës familjare për ulje dënimi, xhelati Enver i’u përgjigj, me zbatimin e tij: pesë-gjashtë orë pas atij takimi tragjik, babanë e pushkatuan. Vesa e mëngjesit që gdhiu, u përzje me gjakun e një njeriu të pafajshëm.Tani lind pyetja: a kishte qëllim human takimi me babanë? Jo. Qëllimi ishte i qartë: bashkë me zhdukjen fizike të prindit, vritej moralisht e shpirtërisht, për gjithë jetën, edhe fëmija.
Njerëzit i kujtojnë ditët e fëmijërisë, si ditët e lumturisë më të madhe, si ditët më magjepsëse… por mua, si qindra e mijëra fëmijëve të tjerë, që jetuan në ferrin komunist enverian, na u mohua kjo e drejtë e natyrshme.
U rrita si u rrita, krijova edhe familje, por gëzimet e jetës nuk i shijova. Barta me vete në mendje dhe në shpirt, atë kujtim të tej dhimbshëm, takimin me babanë para pushkatimit. Edhe paketat e cigareve u ruajtën për shumë kohë, si dëshmi e kërkesës së tij të fundit.
Sot hodha në letër këtë ngjarje kaq të dhimbshme.
Tani pyes: pse e torturuan dhe pastaj e pushkatuan babanë tonë, krejt të pafajshëm? I vetmi “faj” i tij ishte nënshtetësia amerikane dhe punësimi në UNRRA, organizatën e OKB-së, që ndihmonte shtetet e shkatërruara mbas Luftës së Dytë Botërore.