TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Beteja e dijes është një ndër më të vështirat në politikë. Njëjtë si lëvizjet e një anije të madhe që lundron në det të trazuar, frytet e reformave në sistemin e arsimit vijnë të ngadalshme.
Pa interes për një betejë, ku ka më shumë goditje për të marrë sesa kapital politik për të fituar, politikanët lënë anijen të zhytet gjithmonë e më thellë stuhisë që humbja e kësaj beteje prodhon. Rreth vicioz i çuditshëm, por fatkeqësisht zotërues.
Megjithatë, ky realitet nuk është një fatalitet. Protesta e pedagogëve,e ditëve të fundit,na tregon se ka ende shpresë. Beteja e tyre për dinjitet, profesion, kushtet bazë dhe për një jetë më cilësore, është beteja jonë dhe, si e tillë, ajo duhet mbështetur pa kushte.
Shqiptarët, kudo që ndodhen, duhet të kuptojnë se pedagogët janë lidhja midis të shkuarës dhe së ardhmes së një kombi. Ata përçojnë dijen, përcjellin kujtesën, përgatisin brezat dhe përbëjnë një model që duhet të jetë shembull për t’u ndjekur, dhe jo shkelur. Suksesi i punës së tyre përkufizon kufirin midis një kombi të brishtë e një kombi të fortë.
Fatkeqësisht, kombi ynë sot është i brishtë. Pedagogët janë aty që t’u japin mësim një brezi i cili ëndërron largimin nga Shqipëria. Ekuacion për t’u zgjidhur. Ndërkohë që ne e shohim si fatkeqësi, qeveria e sheh si oportunitet. Një komb i brishtë është një komb lehtësisht i manipulueshëm nga propaganda e një regjimi autokratik.
Hapi i parë dhe i pazëvendësueshëm për ndryshimin e këtij realiteti është beteja e pedagogëve për dinjitet. Edi Rama, më shumë se çdokush, e ka kuptuar një gjë të tillë. Ai ka nxjerrë armët e zakonshme me të cilat ka luftuar çdo përpjekje për rezistencë ndaj regjimit të tij.
Nëpërmjet nënvlerësimit, Rama po krijon një imazh negativ të pedagogëve. Ai po kërcënon pedagogët me mjete të ndryshme - deri në përdorimin (politik) të vetingut për të thyer vullnetin e tyre. Ai nxit reaksion ndaj “politizimit” të kauzës, duke promovuar enkas “mospolitizimin” e saj, e cila në fakt, si thellësisht politike, kërkon doemos zgjidhje politike. Rama e bën këtë për të mos lejuar bashkimin e forcave protestuese në vend, të cilat janë të shumta sepse problemet janë të shumta. Ai përdor konfuzionin duke ndezur një zjarr tjetër me deklaratat mbi studentët ekselentë - të cilët, sipas presionit të ushtruar, do marrin bursë studimi vetëm nëse qëndrojnë në Shqipëri dhe, për rrjedhojë, do u mbahet peng diploma për tre vite. Ky është shembull i një sistemi autoritar, i cili në vend që të prodhojë ide dhe të ndërmarrë nisma e të hartojë strategji për moslargimin e trurit, të dikton lirinë e mendimit, lirinë e lëvizjes, lirinë mbi të ardhmen tënde.
Kjo tregon qartë se Edi Rama është pa ide dhe pa busull mbi arsimin e lartë. Sakaq, tek ekselenca ai as që nuk ka mbërritur akoma, sepse së pari, ai nuk beson te shqiptarët ekselentë, dhe, e dyta, ai as që nuk njeh ndonjë të tillë. Rama dhe rrjeti i tij i Rilindjes nuk i duan ekselentët. Për ta, ekselentët përbëjnë rrezik. Për ta çdo person, qoftë ekselent ose jo, është thjesht një numër më shumë, një votues. Rama bën vetëm zhurmë. Sidoqoftë, kjo zhurmë nuk duhet të anashkalojë disa të vërteta të thjeshta:
Paga e pedagogëve shqiptarë është më e ulta në rajon, në vlerë absolute dhe relative. Kjo krijon një hendek të madh midis asaj çka u kërkohet pedagogëve, dhe asaj çfarë u jepet atyre. Kushtet ku pedagogët ushtrojnë profesionin e tyre janë thuajse primitive. Tirana nuk është gjithë Shqipëria. Kërkimi shkencor është thuajse i shuar. Dhe nëse ka, ai realizohet në bazë kilenteliste, jo meritokracie. Nepotizmi në fushën akademike ka vrarë vlerat e vërteta të mësimdhënies. Modelet pedagogjike janë rrënuar dhe marrëdhënia mësues-student gjendet në rrezik serioz.
Përçmimi që Edi Rama tregon ndaj pedagogëve ndikon drejtpërdrejt në denigrimin e statusit të tyre social, ndaj ky profesion po braktiset gjithnjë e më shumë nga brezat e rinj.
Shteti është përgjegjës për mirëqenien e shoqërisë dhe, si pasojë, duhet të sigurojë ruajten e dinjitetit të të gjithë shqiptarëve, ta garantojë dhe promovojë atë. Shteti nuk mundet kurrsesi ta përdhosë dinjitetin tonë, apo të kërcënojë njerëzit që protestojnë për të drejtat e tyre.
Shteti duhet të krijojë bashkëpunim midis faktorëve në vend dhe jo t’i vendosë ato në konflikte të vazhdueshme, siç po ndodh midis studentëve që kërkojnë të studiojnë në vend dhe atyre që kërkojnë të studiojnë jashtë Shqipërisë.
Vendi nuk ndërtohet duke krijuar mekanizma detyrues, sundues apo që ndjellin frikën në psikologjinë e njerëzve. Vendi ndërtohet duke frymëzuar, duke krijuar shpresë dhe dëshirë që rinia të angazhohet; duke përmirësuar kushtet e jetesës së gjithë shqiptarëve dhe atyre që kanë një rol kyç në zhvillimin e shoqërisë, sikurse janëpedagogët.
Për këto arsye, Departamenti i ‘Brain Gain dhe Ekselencës’, pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë, mbështet fuqimisht dhe pa kushte protestën e pedagogëve.