TEJ E KETEJ, 24 Dhjetor 2020, 20:04

Avokati i ditur Ngjela, vetëshpallet figura më e rëndësishme botërore, që ai njeh dhe respekton!


Në kohën që koronavirusi, po i afrohet pikut të vet edhe shkallimi i mendjes njerëzore, sa vjen dhe po mbërrin në një stabilitet të dukshëm.

Është pikërisht zëdhënësi paralel i Departamentit të Shtetit dhe FBI-së bashkë, avokati ynë i ditur, Spartak Ngjela, që në një shfaqje televizive, nëpërmjet Skype, ka varur në mur, mbrapa shpinës, as më shumë dhe as më pak, por vetë portretin e vet.

Ky vendim, nëpërmjet të cilit, ai vetëshpallet si njeriu më i rëndësishëm që ka njohur në jetë, ka çuditur të madh e të vogël, por mbi të gjitha ka lënë të shokuar dhe njëkohësisht thellësisht të trishtuar, kryeministrin tonë, zotni Edi Ramën. Dhe kjo për faktin, që kryeministri ynë, i cili deri më sot, s'ka lënë gjë pa shpikur dhe bërë, për të rënë në sy, nuk i ka shkuar ndonjëherë në mendje, të varë portretin e vet, në muret e ndryshme që ai disponon dhe nga ku performon, që nga zyra me pezhishka dhe deri tek bunkeri ku fle çdo natë.

I sfilitur me fotografinë e Ismail Qemalit, që mban pas shpine kudo ku hyn e del, deri edhe në halè, Edi Rama u fry nga zilia, pas këtij akti të paprecedent të avokatit tonë.

Theksojmë që për të mbërritur deri në këtë pikë, ku avokati nëpërmjet imazhit të vet, e shpall veten, si një nga njerëzit më të rëndësishëm të botës ku jetojmë, ai ka kaluar në disa stade.

Shumë vjet më parë, në kohën e diktaturës, kur ishte në burg, avokati ynë i ditur, çdo gjashtë muaj, ndërtonte një qeveri me kabinet të plotë, me ministrat më të rëndësishëm, kryesisht priftërinj katolikë, të burgosur me shumicë nga ana e regjimit dhe në çdo rast, kuptohet që kryeministër ishte ai vetë, pa pjerdhur fare se ç'bënte Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij,  jashtë dyerve të Spaçit.

PS. Për nder të këtij akti të rrallë, që ndodh për herë të parë në botën oksidentale, të cilës avokati i ditur i përket, rubrika jonë "Tej e Këtej", nga sot e tutje, do ta publikojë avokatin, të shoqëruar vetëm me portretin e tij, të varur në mur.

/TPZ.al/Tej e Këtej/