AKTUALITET, 17 Mars 2023, 09:06

Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Si u prangos në sallën e gjyqit dëshmitari, detajet

Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Si u prangos në sallën e gjyqit

Atë që nuk e bëri policia e Elbasanit dhe as ajo e shtetit në ditën e ngjarjes së përgjakshme ku në një shkëmbim zjarri mes dy palëve me prapavijë politike e bën prokuroria në sallën e gjyqit.

Teksa në Gjykatë shqyrtohet çështja kundër Arbër Paplekajt i vënë nën akuzën e vrasjes së mjekut dhe aktivistit të partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit të dy viteve më parë, është arrestuar një tjetër dëshmitar. Edhe ai për dëshmi të rreme pasi tjetër gjë ka dëshmuar në fazat paraprake hetimore e tjetër ka dëshmuar dje në sallë.

Pas tij numri i dëshmitarëve të thirrur dhe të vënë në pranga ka shkuar në dy, dëshmitarë që në fakt kanë qenë të pranishëm në grupin e armatosur por policia e Elbasanit dhe asnjë agjenci ligjzbatuese nuk i arrestoi pas masakrës me një të vrarë dhe disa të plagosur në mes të Elbasanit, në mes të ditës, në mes të qindra kalimtarëve dhe 4 ditë para zgjedhjeve për pushtet qendror.

ARRESTIMI

Në sallën e gjyqit të mesditës së djeshme është vënë në pranga një nga dëshmitarët e procesit gjyqësor kundër Arbër Paplekaj. Donald Zane, u ndalua pasi dha dëshmi të rreme para gjykatës.

I riu është mik i ngushtë i Mehmet Greçës dhe ndodhej në të njëjtën makinë ku ky i fundit u ndalua nga grupi i ashtuquajtur “mbrojta e votës” i ngritur nga Partia Demokratike. Si pasojë e përplasjeve, degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit që solli tragjedinë e vrasjes së Pjerin Xhuvanit.

Donald Zane, ka pasur deklarata kontradiktore gjatë fazës së hetimeve në prokurori dhe ditën e djeshme ku është thirrur si dëshmitar para Gjykatës së Elbasanit.

Kujtojmë se Greça u akuzua se po blinte vota për PSnë, gjë që më pas shkaktoi edhe përplasjen me armë që solli vdekjen e mjekut Xhuvani.

Greça nga ana tjetër i ka mohuar akuzat që janë bërë ndaj tij duke deklaruar se ishin të pavërteta dhe duke shtuar se ishte marrë peng nga mbështetës të Partisë Demokratike. Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ndaj Arbër Paplekajt rëndon akuza për “vrasje me dashje në rrethana cilësuese”. Sipas Kodit Penal, Paplekaj rrezikon nga 20 vite burg deri në burg të përjetshëm. Ndërkohë, dy zëvendësdrejtorët e Policisë Nikollaq Pallën, Albert Nushin dhe 6 policët e forcave “Shqiponja” akuzohen shpërdorim detyre

Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota (punonjëse e Policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.

Këtë e bëri publik me zë dhe me figurë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin të paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.